AlbanianSport.com 11.10.2016 23:35
ASNN – Me takimin midis Slloveninë dhe Anglisë, që u mbyll me rrjeta të paprekura, është mbyllur edhe “java evropiane e futbollit”, maratona 6-ditore gjatë së cilës Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë plot 8 ndeshje të vlefshme për fazën e grupeve të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”.
Takimi i përzgjedhur sonte për t’u përcjellë drejtpërdrejt nga transmetuesi publik ka qenë padyshim ai më i spikaturi i mbrëmjes, që vuri përballë Slloveninë dhe Anglinë. Kjo ndeshje, e vlefshme për grupin F, është karakterizuar nga një vëllim më i madh loje nga Anglia, në njërën anë, por nga një lojë më e rrezikshme dhe më efikase të Sllovenisë, nga ana tjetër.
Sllovenët madje kanë goditur edhe shtyllën e majtë të portës së gardianit anglez, Hart, në pjesën e parë, ndërsa Anglia ka vuajtur për të krijuar raste për shënim. Ashtu si edhe në pjesën e pare, edhe në atë dytën, Sllovenia e ka rrezikuar seriozisht portën angleze, duke goditur sërish shtyllën, por pa arritur të gjejë golin.
Anglia përgjigjet në gjysmëorën e fundit, me futjen në lojë të kapitenit Uejn Runi, por është shumë vonë dhe shumë pak dhe gjithçka mbyllet me rrjeta të paprekura. Pas ndeshjeve të 3-ta në grupin F, Anglia kryeson renditjen e vetme, me 7 pikë.