AlbanianSport.com 10.10.2016 22:45
ASNN – Java evropiane e futbollit, e cila ka nisur që të enjten e shkuar, ka vazhduar sonte në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar me një tjetër sfidë interesante të vlefshme për fazën e grupeve të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”.
Takimi i përzgjedhur sonte për t’u përcellë drejtpërdrejt nga transmetuesi publik ka qenë padyshim ai më i spikaturi i mbrëmjes, që vuri përballë dy prej skuadrave që i kanë dhënë tonin futbollit kontinental dhe atij botëror.
Holanda ka pritur sonte në fushën e vet Francën, në duelin e dy skuadrave që ndanin kreun e renditjes së grupit A, me nga 4 pikë secila. Franca erdhi pas asaj fitoreje bindëse me përmbysje, 4-1, në fushën e vet ndaj Bullgarisë, ashtu sikundër edhe Holanda kishte korrur një fitore me të njëjtat shifra në shtëpi ndaj Bjellorusisë.
Megjithatë, fati i sfidës së sotme është vendosur pas një gjysmë ore lojë, kur Pol Pogba ka shënuar për miqtë. Minutat e mbetura të pjesës së pare dhe pjesa e dytë nuk kanë sjellë gola të tjerë dhe Franca merr një fitore minimale, por mjaft të vyer.
Fitore që e mban në krye të renditjes së grupit A, me 7 pikë, po aq sa ka edhe Suedia, e cila ka mposhtur 3-0 Bullgarinë. Java evropiane e futbollit mbyllet të martën në mbrëmje, me takimin midis Sllovenisë dhe Anglisë, që do të sillet gjithashtu për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.