AlbanianSport.com 09.10.2016 11:45
ASNN – “Një skuadër e fortë, që nuk mund të nënvlerësohet dhe ndaj të cilës duhet të kënaqemi edhe me një fitore minimale”. Ky është lajtmotivi që ka përshkuar intervistat ekskluzive që trajneri i Spanjës, Lopetegi, dhe portieri David De Gea, kanë dhënë për Televizionin Shqiptar pas stërvitjes së zhvilluar sonte në “Loro Boriçi”. Ashtu sikundër për trajnerin, ashtu edhe për gardianin e portës së iberikëve, ndaj kuqezinjve do të mjaftonte edhe një fitore përtej lojës së bukur.
– Çdo të thotë për Spanjën të përballet me kryesuesen e grupit G?
– Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Shqipëria ka një skuadër të mirë. Natyrisht, ne duam t’i fitojmë të 3 pikët, por do të jetë një ndeshje e vështirë.
– A njihni ndonjë lojtar shqiptar, a njihni ndonjërin prej tyre si rrezik për skuadrën tuaj?
– Unë i njoh disa prej lojtarëve të Shqipërisë, por mendoj se një nga pikat më të forta të ekipit të saj është pikërisht kjo, të qenit një skuadër e fortë, me një lojë të mirë në mbrojtje dhe me sulmues të shpejtë, dhe ne duhet të jemi vërtet të mirë nëse duam t’i mundim.
– A e ndjen Spanja presionin pas barazimit ndaj Italisë, a e ndjeni veten nën presion?
– Ne barazuam me Italinë, por mund të fitojmë këtu dhe kjo na mjafton. Pra, çështja është të fitojmë këtu dhe të vazhdojmë përpara.
– A do t’i mjaftonte Spanjës një fitore minimale këtu, apo Spanja duhet të luajë gjithmonë mirë dhe të dominojë e të fitojë bindshëm?
– Gjëja kryesore është që të fitojmë, 1-0 apo 2-0 s’ka rëndësi. Ne gjithmonë përpiqemi të luajmë mirë, të mbajmë topin, të shënojmë gola, por kjo s’është gjithmonë e mundur. Gjëja më e rëndësishme është një fitore.