AlbanianSport.com 08.10.2016 23:35
ASNN – Jave e futbollit evropian, e cila ka nisur të enjten, ka vijuar në Rrjetin e Radio-Televizionit me transmetimin e drejtpërdrejtë të shtunën në mbrëmje të sfidës më të spikatur e grupit C, midis Gjermanisë dhe Republikës Çeke.
Kampionët e botës, të cilët e kishin fituar ndeshjen e parë të luajtur në shtator, kur kishin triumfuar 3-0 në Norvegji përballë vendasve, kanë vijuar të bëjnë të njëjtën gjë edhe të shtunën në mbrëmje në fushën e tyre, duke mposhtur Republikën Çeke me të njëjtat shifra.
Gjermanët e kanë dominuar lojën në përgjithësi, duke mos u lënë shumë hapësira kundërshtarëve, të cilët janë kënaqur me disa raste sporadike por të pafinalizuara me gol. Pjesa e parë ka përfunduar me epërsinë njëgolëshe të vendasve, ndërsa dy golat e tjerë janë realizuar në pjesën e dytë.
Ndërkohë, transmetuesi publik do të sjellë të dielën fillimisht sfida midis Ukrainës dhe Kosovës, që nis në ora 18:00, dhe më pas ndeshja e madhe e Shqipërisë me Spanjën, që nis në ora 20:45.
Të hënën vjen sfida e grupit A, që vë përballë dy prej skuadrave më të spikatur evropiane, Holandën dhe Francën, ndërsa të martën dueli i grupit F, midis Sllovenisë dhe Anglisë.