Gjergj Vyshka 06.10.2016 12:30
Sokrat Kalivopulli u lind më 1998-n dhe vetëm përpara dy vjetësh ka nisur të merret me sportin e dorezave, ndërsa është pjesë e Tiranës me trajner Artur Koçin. Vazhdon studimet në kolegjin grek “Arsekio”, ndërsa është maturant me nota të shkëlqyera.
Për herë të parë ka marrë pjesë në kampionatin kombëtar të të rinjve, që u zhvillua këtë fundjavë në Shkodër, dhe menjëherë është kampion në peshën 75 kg. Në turin e parë është ndeshur me boksierin e Teutës, Abazaj, dhe ka fituar 3-0. Më pas ndeshet me boksierin e “Arenës”, Marku, dhe fiton 2-1.
E kësisoj është kampion i Shqipërisë për të rinj në peshën deri në 75 kg, si dhe është shpallur “boksieri i perspektivës”. Por qëllimet e tij janë vazhdimi i studimeve jashtë Shqipërisë, si dhe rritja cilësore në sportin e dorezave.
E deri më tani, vetëm me dy vjet karrierë sportive, është shpallur kampion dhe specialistët e boksit e kanë vlerësuar maksimalisht si një talent i këtij sporti. Dhe i tillë duhet parë nga të gjithë, sepse është e rrallë të gjesh nxënësh të shkëlqyer dhe boksier “kampion”.