AlbanianSport.com 04.10.2016 19:50
ASNN – Itali-Spanjë, është sfida më e rëndësishme e grupit G. Të dyja skuadrat pretendojnë të kualifikohen për në fazën finale të Botërorit “Rusi 2018”, ndaj kërkojnë fitoren për të siguruar kreun e grupit. Sipas kompanive të basteve, më e favorizuar për fitoren shikohet Spanja. Kështu, një sfidë e rëndësishme e grupit G, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria, është edhe ajo midis Italisë dhe Spanjës.
Të dyja skuadrat janë pretendente për t’u kualifikuar në këtë grup, ndaj ndeshja midis tyre pritet me ankth nga të gjithë sportdashësit. Por, për trajnerin e Italisë, Xhampiero Ventura, kjo sfidë nuk është vendimtare, pasi janë ende shumë ndeshje të tjera për t’u luajtur. Ndërkohë, tek përfaqësuesja e Spanjës kërkojnë 6 pikët në dy ndeshjet e radhës. Kështu është shprehur Diego Kosta, sulmuesi kryesor i spanjollëve.
Ai kërkon nga skuadra e tij që të mos bëjnë hala false, në mënyrë që të sigurojnë sa më parë biletën drejt kualifikimit për në fazën finale të Botërorit “Rusi 2018”. Sipas statistikave të publikuara nga UEFA, dy përfaqësueset janë përballur 44 herë midis tyre. Italia ka fituar 15 herë kundrejt 12 të Spanjës. Ndërsa 17 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Edhe golaverazhi është në favor të të kaltërve, 54 të shënuar e 48 të pësuar. Duke parë këto shifra, Spanja kërkon me çdo kusht fitoren. Edhe sipas kompanive të basteve, Spanja është cilësuar si favorite për të fituar në fushën e Italisë. Fitorja e spanjollëve kuotohet në 2.4 ndërsa ajo e italianëve në 2.9. Edhe barazimi është kuotuar 2.9, duke treguar për një barazpeshën forcash edhe në skedinë.