AlbanianSport.com 03.10.2016 12:15
ASNN – Futbollistët e kombëtares shqiptare kanë nisur grumbullimin në Vaduz, kryeqytetin e Lihtenshtejnit, me përfaqësuesen e të cilit do të luajnë në 6 tetor 2016, ndeshje kjo e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Trajneri Xhovani De Biazi ka programuar një seancë të lehtë stërvitore sot në mbrëmje me lojtarët që kanë mbërritur në grumbullim.
Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës me Lihtenshtejnin dhe Spanjën, të programuara përkatësisht më 6 dhe 9 tetor 2016, të vlefshme për grupin G të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”. Trajneri Xhovani de Biazi ka shpallur të shtunën listën me emrat e 26 futbollistëve të grumbulluar për këto dy sfida eliminatore.
Kuqezinjtë do të grumbullohen sot në Vaduz, kryeqytetin e Lihtenshtejnit, ku edhe do të luhet ndeshja më 6 tetor, me përfaqësuesen e këtij shteti. Për të shmangur orët e gjata të udhëtimit, për disa nga futbollistët, tanë është zgjedhur që grumbullimi të bëhet në Vaduz. Futbollistët nën drejtimin e De Biazit, do të zhvillojnë sot në mbrëmje një seancë të lehtë stërvitore për t’u ambjentuar me kushtet e qendrës ku do të punojnë kuqezinjtë.
Stadiumi “Rheinpark Stadium” ku do të luhet takimi mes Lihtenshtejnit dhe Shqipërisë në Vaduz ka një kapacitet prej 5,873 vendesh. Fitoren e fundit kundërshtari i kuqezinjve e ka më 13 tetor 2004 me Luksemburgun.