AlbanianSport.com 02.10.2016 13:25
ASNN – “Anglia është një joshje e madhe të cilës nuk mund t’i thuhet “jo”, por unë mbetem i përkushtuar në misionin tim me Shqipërinë, siç kam bërë në këto 4 vjet e 9 muaj.” Kështu ka deklaruar trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, duke folur ekskluzivisht për Televizionin Shqiptar. 60-vjeçari është treguar diplomat në përgjigjen e tij sa i përket një oferte të mundshme angleze, ndërsa ka këmbëngulur se është i kënaqur me zgjedhjet që ka bërë.
Stoli i përfaqësueses angleze është sërish bosh dhe Xhovani De Biazi jeni ndër “të dyshuarit e zakonshëm”, të paktën për mediat britanike. Por, për italianin e Kombëtares kuqezi, janë thjesht spekulime. “Jo, absolutisht asgjë, – ka këmbëngulur ai. – Nuk kam asnjë kontakt. Janë thjesht miqtë tuaj gazetarë që zbaviten duke e vendosur emrin tim nëpër kandidatura. Sa herë që ka ndonjë gjë që ka të bëjë me ndonjë trajner, unë jam gjithmonë mes emrave, dhe e fundit ishte rasti i Dinamos së Zagrebit në Kroaci.”
“Nuk ka patur absolutisht asnjë kontakt, por nëpër gazeta thuhet shpesh që do të shkoj këtu apo do të shkoj atje, – ka vijuar italiani me pasaportë shqiptare. – Kam 4 vjet e 9 muaj që jam me Shqipërinë dhe kam 4 vjet e 9 muaj që jam këtu.” Ndonëse jashtë kameras e ka pohuar se Anglia është një joshje e madhe të cilës nuk mund t’i thuhet “jo”, duke folur ekskluzivisht për Televizionin Shqiptar, 60-vjeçari është treguar diplomat në përgjigjen e tij.
“Shiko, unë jam mësuar gjithnjë të komentoj mbi faktet, jo mbi hipotezat, – ka deklaruar De Biazi. – Prandaj, kur të më thërrasin, unë do t’ju them. Unë kam një kontratë me Kombëtaren e Shqipërisë dhe, përderisa të mos krijohen situata krejtësisht të veçanta, do të bëj siç kam bërë edhe herët e tjera, do të respektoj kontratën që kam firmosur. Natyrisht, në vitet që kam kaluar këtu, kam patur oferta të rëndësishme, madje edhe nga Kina dhe ekonomikisht mjaft të leverdishme.”
“Por kam thënë gjithmonë që kërkoja të shkoja në Evropian me Shqipërinë dhe, në fund ia kemi dalë”, – ka shtuar trajneri italian i Kombëtares kuqezi, i cili këmbëngul se është i kënaqur me zgjedhjet që ka bërë. “Prandaj, siç ju thashë edhe më parë, edhe në dy-vjeçarin e shkuar, kam patur interesim dhe oferta, por gjithmonë i kam refuzuar, sepse kisha një objektiv, që të shkoj larg me Shqipërinë dhe jam shumë i kënaqur me zgjedhjet që kam bërë”, – ka thënë De Biazi.
“Besoj që askush nuk mund të mos e pranojë se unë dhe stafi im kemi punuar me vendosmëri të madhe, me pasion dhe se nuk jemi këtu për të kaluar kohën, sepse e dimë shumë se ku po shkojmë”, – ka përfunduar 60-vjeçari i stolit kuqezi.