Gjergj Vyshka 29.09.2016 15:15
Sikundër raportojnë mediat lokale në Internet të qytetit të Shkodrës, nga katër boksierët shqiptarë, që diskutuan finalet e turneut ndërkombëtar të Sarajevës, vetëm njëri prej tyre ka arritur të triumfojë dhe të marrë medaljen e artë. Ai është Syrjan Marinaj.
Shtatëlarti i ringut ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe në fund ka arritur të fitojë finalen ndaj kundërshtarit të tij malazez. Në këtë mënyrë boksieri i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare është shpallur fitues i peshës 81 kg.
Me shumë interes është ndjekur edhe ndeshja finale e peshës 75 kg në mes Arjon Kajoshit dhe një boksieri slloven, që është fituar nga ky i fundit. Edhe dy boksierët e tjerë të Vllaznisë, Marjan Vashja dhe Emanuel Kaçaj, nuk kanë arritur dot të fitojnë ndaj kundërshtarëve të tyre në finale duke u mjaftuar kësisoj me vendet e dyta.
Në këtë mënyrë është mbyllur këtu ky turne i zhvilluar në Bosnjë dhe që njihet nga AIBA, me një medalje ari dhe tre argjendi për boksierët shkodranë që kanë përfaqësuar Shqipërinë në këtë veprimtari.