AlbanianSport.com 29.09.2016 14:20
ASNN – Të shtunën, Partizani luan ndaj Kukësit, një ndeshje të vështirë por dhe shumë të rëndësishme për ecurinë e skuadrës. I ndodhur në vend të dytë, 4 pikë larg Skënderbeut kryesues, Partizani kërkon fitoren për të ruajtur pozitat në renditje. Mbrojtësi i të kuqve, Sodik Atanda beson se skuadra e tij do të fitojë.
Kështu, Partizani luan të shtunën një ndeshje të rëndësishme. Udhëton drejt Kukësit për të luajtur me skuadrën vendase një ndeshje të vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë Superiore. Mbrojtësi i të kuqve, Sodik Atanda tregon për mentalitetin fitues që ka skuadra e tij.
Ndaj edhe kundër Kukësit nuk do të ndodhë ndryshe, hyjnë në fushë për të marrë tri pikët. “Në çdo ndeshje ne futemi në fushë për të fituar, – ka thënë nigeriani. – Kështu që edhe në Kukës do të udhëtojmë për të marrë tri pikët. Ne mendojmë që nuk na mund njeri.”
“Nuk ka rëndësi ku luajmë jashtë apo brenda fushës sonë”, – ka shtua ai. Përsa i përket derbit me Tiranën, Atanda shprehet se nuk qëndron problemi tek humbja e dy pikëve, por te mënyra se si luajtën. “Për derbin me Tiranën, unë nuk mendoj se humbëm 2 pikë dhe morëm 1”, – ka theksuar ai.
“Por e rëndësishme është që ne luajtëm me zemër dhe dhamë shpirtin në fushën e lojës”, – ka përfunduar futbollisti afrikan i të kuqve kryeqytetas. Ndeshja Kukësi-Partizani luhet të shtunën, duke nisur nga ora 14:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar.