AlbanianSport.com 28.09.2016 18:00
ASNN – Kamza-Korabi është mbyllur në barazim 1-1, ndeshje kjo e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Fillimisht kalon Kamza në epërsi me anë të Rezit, dhe më pas Korabi barazon në fund të takimit me Prençin. Televizioni Shqiptar ka qenë pranë të gjithë sportdashëve duke përcjellë drejtpërdrejt emocionet e ndeshjes Kamza-Korabi e vlefshme për turin e 32-shes së Kupës së Shqipërisë.
Takimi u zhvillua në Stadiumin e Kamzës dhe vendasit kanë shfaqur epërsinë që në fillim të takimit. Është Deliallisi që rrezikon për Kamzën teksa gjuan fuqishëm në minutën e 26-të, po portieri mik, Vujadinoviç, largon në vështirësi. Në të 41-ën është Ymeraj që pason bukur për Rezin, i cili brenda zonës nuk gjuan saktë. Një minutë para përfundimit të pjesës së parë, Korabi rrezikon me anë të Bytyçit.
Por ky i fundit nuk gjuan mirë. Pjesa e dytë nis me gol për Kamzën. Në të 52-ën është Rezi që kalon mbrojtjen dibrane dhe në fund edhe portierin Vujadinoviç, duke shënuar. 1-0 për vendasit. Në minutën e 72-të, një ndërhyrje e parregullt e portierit të Korabit ndaj Lames, e detyron gjyqtarin kryesor të takimit të japë 11-metërsh në favor të vendasve.
Është Bytyçi që gjuan nga pika e bardhë por topi prek shtyllën. Në të 89-ën minutë, Korabi gjen barazimin. Një harkim i Veliajt brenda në zonë, Leo nuk e largon topin si duhet dhe Prençi, i vetëm, shënon. Me rezultatin 1-1 mbyllet ky takim, ndërkohë që ndeshja tjetër, Turbina-Laçi, e luajtur në ora 13:00, është mbyllur me fitoren e kurbinasve me shifrat 2-0.