Gjergj Vyshka 26.09.2016 13:25
Skuadra e Dritan Bardhit ka përmbysur disavantazhin 0-2 të Tiranës dhe në fund, tashmë me set final, është bërë triumfatore në trofeun e parë të sezonit 2016-2017. Tiranën nuk e kanë mbajtur gjunjët më shumë se dy sete. Të duket sikur Tirana nuk është e lodhur dhe është e papërmbajtshme ndërsa në setin e parë është gjithnjë në epërsi, 4-8, 8-16, 14-21, 16-22, 18-22 dhe në fund 20-25. E po kështu ndodh dhe në setin e dytë 2-3, 2-8, 7-8, 14-16, 22-23, 23-25.
E në epërsi 2-0 për Tiranën të gjithë kanë menduar se kjo ndeshje mbaroi. Por këtu nis furtuna e Farkës, e cila e ka marrë setin e tretë sa hap e mbyll sytë 25-15. Me vështirësi setin e katërt 25-23 dhe në të pestin është e papërmbajtshme 15-7 e 3-2 dhe festa është për Farkën. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Redi Koçi i Farka Volejit, me 27 pikë, i ndjekur nga Ferhati i Tiranës me 21 pikë, Gaxini i Tiranës, me 20 pikë e Gega i Tiranës, me 16 pikë, si dhe Qepa i Farka Volejit, me 14 pikë.
Në bllok ka dalë fitues Koçi i Farka Volejit me 4 mure fituese i ndjekur nga Metani, Mimani e Bajrami të Farka Volejit me 3 mure fituese. Në shërbim Koçi i Farka Volejit me 3 rezultative. Në total në 5 sete Farka Voleji realizoi 108 pikë prej të cilave 84 pikë vetë, kurse 24 pikë kanë ardhur nga gabimet e Tiranës. Në krahun tjetër, në 5 sete Tirana realizoi 95 pikë, prej të cilave 69 pikë vetë, kurse 26 pikë kanë ardhur nga gabimet e Farka Volejit.
Farka Voleji – Tirana 3-2
(20-25, 23-25, 25-15, 25-23, 15-7)
Farka Voleji: Deliu, Koçi, Qepa, Metani, Mimani, Vllaçaj (L), Bajrami / Xhajkone, Dodaj. Trajner: D. Bardhi
Tirana: Xhija, Sotir, Gaxini, Peçi, Gega, Ferhati, Kasëmi (L) / Myrto, Joanidhi (L), Kapidani, Sheldija. Trajner: I. Koja
Gjyqtarë: I. Fështi, E. Dusha (Tiranë)
Ndihmës: A. Brokaj, A. Nurja (Tiranë)