AlbanianSport.com 25.09.2016 20:55
ASNN – Derbi i kryeqytetit, ai midis Partizanit dhe Tiranës është mbyllur në barazim pa gola 0-0. Në “Elbasan Arena”, të dyja skuadrat, të nxitura edhe nga tifozeritë, shfaqën më të mirën e tyre, por pa mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Nga një pikë për secilën që nuk kënaq aspak ambiciet dhe synimet përkatëse. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, është mbyllur në barazim pa gola ndeshja e shumëpritur e javës së 4-t të Kategorisë superiore, ajo midis Partizanit dhe Tiranës.
Derbi i 146-të i kryeqytetit ka dhuruar emocione, lojë të bukur dhe mjaft raste për shënim nga ana e të dyja skuadrave, duke i vënë në vështirësi portierët përkatës. Nën drejtimin e gjyqtarit Enea Jorgji, në “Elbasan Arena”, të zbukuruar nga koreografitë e mrekullueshme të tifozerive kryeqytetase, ka nisur takimi midis Partizanit dhe Tiranës. Është Tirana që krijon rrezikun e parë në portën e të kuqve kur kongolezi Moises, pas një sulmi të shpejtë në minutën e 15-të, nuk e arrin topin në zonën e Partizanit, ku portieri Hoxha është më i shkathët dhe e pret përpara tij.
Kundërpërgjigjet menjëherë Partizani me Vilën që gjuan rrezikshëm nga jashtë zone, por portieri Lika pret me vështirësi. Minuta e 30-të sjell një sulm të shpejtë të Tiranës, ku Mervill, i vetëm me portierin pengohet në zonë dhe nuk arrin të gjuajë. Topi grushtohet nga Hoxha, shkon në këmbët e Edehut, i cili gjithashtu gabon. Tirana humbet kështu rastin më të mirë për të kaluar në epërsi. Në minutën e 41-të është Partizani që rrezikon me dy gjuajtje radhazi, por Lika grushton në të dy rastet. Pjesa e parë mbyllet me një sulm të shpejtë të Tiranës, që nuk përfundon me sukses.
45 minutat e dyta nisin me një epërsi të lehtë të Partizanit. Në minutën e 56-të dhe atë të 67, Torrasa dhe Batha trondisin përkatësisht portën e Tiranës duke goditur shtyllën. Minuta e 71-të sjell tri goditje radhazi në portën e Tiranës. Vazhdon presioni i Partizanit. Në të 87-ën, Ekuban pason bukur në zonën bardheblu, por Bardhi godet trupin e portierit Lika. Një minutë më vonë, Edehu, i vetëm në zonën e të kuqve nuk gjuan si duhet. Kronika e kësaj sfide të bukur mbyllet me një gjuajtje me kokë të Ekubanit në minutat shtesë, por topi kalon mbi shtyllën horizontale.
Nga një pikë për të dyja skuadrat që nuk kënaq asnjërën. Partizani ruan vendin e dytë me 8 pikë ndërsa me 4 pikë në po aq ndeshje, të mbyllura në barazim, Tirana mbetet në vendin e 6-të.