AlbanianSport.com 25.09.2016 15:05
ASNN – “Elbasan Arena” do të presë në mbrëmje, duke nisur nga ora 19:00, derbin e kryeqytetit, atë midis Partizanit dhe Tiranës. Të kuqtë e Sormanit kërkojnë fitoren për të ruajtur rivalitetin me Skënderbeun kryesues, ndërsa për bardheblutë, misioni është më i rëndësishëm. Duhet fitorja pas 9 ndeshjeve derbi pa fitore për ta, e tri pikët e para për skuadrën e Dajës në këtë sezon pas 3 barazimeve radhazi të deritanishme. Kështu, derbi historik i kryeqytetit do të ngrejë siparin në Elbasan, sot në mbrëmje në orën 19:00.
Emocionet, golat, ankthin dhe surprizat e kësaj sfide të shumëpritur do të sillen për të gjithë teleshikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në mungesë të një stadiumi, në kryeqytet, nga ana e Partizanit, si skuadër pritëse, derbi do të luhet në “Elbasan Arena”. Por tifozeritë do t’i ndjekin skuadrat e zemrës edhe atje, ku pritet që stadiumi të jetë i mbushur. Rreth 60 autobuzë janë nisur drejt qytetit të Elbasanit, ku përfshihen “ultrasit” e të dy ekipeve, përveç atyre që do të udhëtojnë me makinat personale.
Trajneri i bardhebluve, Ilir Daja ka vendosur të luajë me këtë formacion: në portë Lika, në mbrojtje: Kërçiku, Muça, Teqja e Hoxhallari, në mesfushë: Mervill, Karabeci e Daja, më të avancuar në drejtim të sulmit, Taku e Moise, të cilët do të ndimojnë Edehun të vetëm në sulm. Tirana kërkon fitoren kur dihet që 9 ndeshjet e fundit me Partizanin kanë përfunduar 5 në barazim dhe 4 fitore për të kuqtë.
Ndërsa te Partizani, trajneri Adolfo Sormani i ka besuar kësaj 11-shje lojtarësh: Në portë: Hoxha, në mbrojtje: Fejzullahu, Krasniqi, Atanda dhe Kalari, në mesfushë: Bertoni, para tij, Fili, Batha, Trashi e Torrasa, në sulm, Ekuban. Debi kryeqytetas do të gjykohet nga 6 gjyqtarëve, përveç 4 kryesorëve do të jenë edhe dy pas porte. Gjyqtar kryesor do të jetë Enea Jorgji.