Gjergj Vyshka 24.09.2016 10:05
Sërish Barleti Volej-Tirana. Kampionet, tashmë pa Bicin e Thakën, e kanë pasur të vështirë nisjen me durrsakët e më pas kanë shpërthyer duke u kthyer në “origjinën” e lojës së tyre. Bardheblutë, edhe ato me një skuadër të rinovuar, e kanë pasur si seancë stërvitore përballjen me Skënderbeun. Kështu, Barleti Volej-Tirana është çifti i zakonshëm i volejbollit të femrave në Shqipëri që lufton për çdo trofe. Si për kampionat, ashtu dhe për Kupën e Shqipërisë, por tashmë dhe për Kupën e Federatës një finale e cila ka qenë e pranishme dhe sezonin e kaluar.
Nëse për Tiranë e Adrian Gorenxës, e cila tashmë është një skuadër e rinovuar, sepse ka pasur largime dhe afrime, përballja me Skënderbeun ka qenë si një seancë stërvitore, për kampionet në fuqi dueli me Teutën ka qenë më i lodhshëm. Madje ishte gjysmëfinalja më e bukur e Kupës së Federatës, sepse durrsakët e Edmond Jazenxhiut me afrimet e Gashit dhe Matoshit, krahas Begiçit dhe Guzës, e kanë bërë skuadrën durrsake të fortë.
Madje u krijua përshtypja se Thakën, që ka shkuar në Poloni, dhe pa Bicin, e cila tashmë është në Itali, Barleti Volej dukej si një skuadër e brishtë. Sepse Bego e ardhur nga Skënderbeut, apo dhe Picaku e Hasku, pavarësisht Xhekës, Brahos dhe Tucit, si dhe lojtares së lirë Fagu, e kanë pasur të vështirë ta fusin Barletin Volejin në atë ritëm që duhet për një skuadër kampione. E megjithatë në fund Barleti dhe Tirana do të jenë përballë në finalen e së dielës.
Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit
Kalendari i Femrave:
Gjysmëfinalet:
23 shtator 2016:
Barleti Volej – Teuta 3-1
(19-25, 25-21, 25-10, 25-8)
Tirana – Skënderbeu 3-0
(25-9, 25-12, 25-20)
Finalja
25 shtator 2016:
Barleti Volej – Tirana ora 17:00
Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit
Kalendari i Meshkujve:
Gjysmëfinalet:
24 shtator 2016:
1) Studenti – Farka Voleji ora 17:00
2) Tirana – Vllaznia ora 19:00
Finalja
25 shtator 2016:
Fituese 1- Fituese 2 ora 19:00