AlbanianSport.com 23.09.2016 07:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtina, njëra ndër boksieret më të dalluara të gjeneratës së re të përfaqësueses së Kosovës, anëtarja e Klubit Gollaku të Prishtinës, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e broztë në Kampionatin Evropian të Boksit për të reja, që po mbahet në Ordu të Turqisë.
Në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kilogram, në çerekfinale, teksa ishte në luftë për medalje bronztë, ajo ka shënuar fitore kundër përfaqësueses së Bjellorusisë, Veronika Prakofieva. Shqiptarja e Kosovës ka shkëlqyer duke e detyruar gjyqtarin në ring që ta ndërpresë luftën në raundin e dytë dhe të shpallë fituese Donjeta Sadikun.
Në luftën e parë të këtij kampionati, boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku shënoi fitore ndaj boksieres nga Rusia, Dina Bogdanova, që konsiderohej kandidate për medalje. Të dielen, më 25 shtator, në gjysmëfinale e atë e pret një tjetër duel i vështirë ku për kundërshtare do ta ketë anglezen Ellie Skotnei.
Në Ordu të Turqisë, në kampionatin Evropian të boksit për të reja, po gjykon edhe gjyqtari ndërkombëtar nga Kosova, Latif Demolli.