AlbanianSport.com 22.09.2016 08:50
ASNN – Shef i ri, realitet i ri dhe rregulla të reja. Kështu duket se po ndodh me UEFA-n, ku presidenti i ri i saj, Aleksandër Çeferin, ka deklaruar se Liga e Kampioneve do të pësojë një tjetër ndryshim, apo më saktë, një rikthim në formatin e saj më të hapur dhe jo duke favorizuar 4 kampionatet kryesore të Evropës, Spanjën, Gjermaninë, Anglinë dhe Italinë.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit duket se do të pësojë një tjetër ndryshim, apo më saktë, një rikthim në formatin e saj më të hapur. Një gjë të tillë e ka sinjalizuar vetë presidenti i ri i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, i cili ka lënë të nënkuptohet se synon të anullojë vendimin e marrë vetëm pak javë para zgjedhjes së tij nga ish-Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollin kontinental, nën presionin e klubeve të mëdhenj.
Ky vendim parashikon që, përgjatë 3-vjeçarit 2018-2021, 4 kampionatet kryesore të Evropës, Spanja, Gjermania, Anglia dhe Italia, do të fiton të drejtën e dërgimit automatikisht të 4 vendeve të para të renditjes në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. “Natyrisht që kjo nuk është diçka e mirë për federatat e vogla dhe të mesme të UEFA-s, por unë kam vetëm pak ditë që ka marrë detyrën”, – deklaroi Çeferini duke folur dje për mediat në kryeqytetin e Britanisë, Londër.
“Duhet të shoh se cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e këtij vendimi, pasi, si në çdo gjë tjetër, edhe kjo çështje ka të vetat. Por çdo gjë mund të ndryshojë”, – shtoi ai. Vendimi i marrë javë më parë shkaktoi zemërimin e shumë federatave evropiane të futbollit, të cilat u ankuan edhe për faktin se nuk ishin konsultuar më parë.
Një nga zërat më të fortë kundër ishte vetë Çeferini, asokohe në rolin e presidentit të Federatës Sllovene të Futbollit. Menjëherë pas zgjedhjes së tij në këtë post, ai pati deklaruar se ky vendim do të anulohet. Mbetet për t’u parë në javët dhe muajt në vijim sesa do të jetë në gjendje 48-vjeçari ta bëjë një gjë të tillë.