Gjergj Vyshka 20.09.2016 17:05
ASNN – Të shtunën nis sezoni i ri i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Lajmi bëhet i ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Sipas Komisionit të Licencimeve është zgjidhur tashmë problemi i pagesës së të gjitha detyrimeve nga ana e klubeve pjesëmarrëse. Të mërkurën, në orën 11:00, në mjediset e FSHF-së hidhet shorti për kalendarin e këtij kampionati. Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të nisë sezonin e ri të shtunën, më datë 24 shtator 2016.
Komisioni i Licencimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dhënë miratimin për fillimin e sezonit të ri të Kategorisë së Parë. I programuar për të filluar në 10 shtator, ky kampionat nuk mundi të nisë. Arsyeja ishte se shumë klube pjesëmarrëse nuk kishin bërë pagesat e detyrueshme në FSHF, për liçensimin, pagesat e stadiumeve apo edhe mangësi në infrastrukturë. Të martën, ka qenë afati i fundit i shlyerjes së të gjitha detyrimeve, e duket se kjo gjë është arritur.
Sipas burimeve pranë FSHF-së, përfaqësuesit e klubeve janë paraqitur në zyrën e licencimeve dhe kanë shlyer detyrimet. Ndërkohë që sipas vëzhgimeve të inspektorëve përkatës, është dhënë edhe miratimi për stadiumet ku do të luhen ndeshjet. Të mërkurën, në orën 11:00, në mjediset e FSHF-së hidhet shorti për të përcaktuar kalendarin e sezonit të Kategorisë së Parë.
Nuk do të ketë ndryshime në strukturën kalendarike, pra janë dy grupe me nga 10 skuadra, grupi A që i përket pjesës veriore të Shqipërisë dhe Grupi B, ku bëjnë pjesë skuadrat e jugut të vendit. Siç dihet, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit, ndeshjet e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, do të transmetohen drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.