AlbanianSport.com 18.09.2016 08:50
ASNN – Një nga boksierët shqiptarë më të spikatur të momentit, Nuri Seferi, ka pësuar të shtunën në mbrëmje humbjen e 8-të në karrierë, teksa është mundur me pikë në duelin për titullin “Kampion Evrope” në versionin WBO, në peshën super të mesme, që njihet ndryshe si “krujzer”.
Nuri Seferi, i mbiquajturi “Tajsoni Shqiptar”, ka humbur të shtunën në mbrëmje në ringun e Baden-Vurtemberg përballë gjermanit Firat Asllan. Në një ndeshje me dymbëdhjetë raunde, atje ku Seferi ka boksuar mirë në të pestin dhe të gjashtin, ndërsa në të fundit ka kërkuar dhe nokautin, e ka pasur të pamundur të fitojë ndaj Asllanit.
Ky i fundit, në karrierën e tij në një total prej 47 ndeshjesh kishte 37 fitore, 8 humbje dhe 2 barazime. Dhe me vendim të gjyqtarëve të tavolinës në një fitore me pikë, Firat Aslan është “Kampion Evrope” në versionin WBO, në peshën “krujzer”. Kjo ishte humbja e tetë për Seferin, që është pesë herë fituesi i këtij titulli.