AlbanianSport.com 16.09.2016 17:05
ASNN – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka analizuar pjesëmarrjen e delegacioni përfaqësues në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Në raportin e përgatitur, presidenti I KOKSH, Viron Bezhani ka vlerësuar arritjet e dy peshëngritësve, Evangjeli Veli e Briken Calja e rekordin e Sindi Hoxhës në not.
Por nuk ka harruar të sqarojë edhe problematikat e krijuara atje. Kur kanë kaluar më shumë se tre javë nga përfundimi i Lojërave Olimpike “Rio 2016”, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka bërë analizën e paraqitjes së ekipit përfaqësues atje, si dhe problematikat e shfaqura.
Në praninë e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, anëtarëve të Komitetit Drejtues të KOKSH-it, presidenti i Komitetit Olimpik, Viron Bezhani ka sqaruar ngërçin e krijuar nga peshëngritësi Briken Calja për bursën olimpike, mungesën e uniformës së Evangjeli Velit etj, duke i quajtur si probleme të sajuara.
Më tej, duke u bazuar në dokumentet përkatëse, kreu i lëvizjes olimpike shqiptare, Bezhani, ka sqaruar me detaje edhe shumat përkatëse që kanë marrë federatat pretendente për të çuar sportistë në olimpiadë, fond ky i përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.