AlbanianSport.com 14.09.2016 11:45
ASNN – Një pjesë e mirë e ekipeve të Kategorisë të Parë po kalojnë momente aspak të mira në drejtim të financave dhe kjo nuk mundet të lërë jashtë kësaj problematike edhe Shkumbinin. Që nga momenti i rënies nga Kategoria Superiore, peqinasit kanë kaluar situata tepër të vështira financiare me të cilat mezi kanë përballuar qëndrimin në Kategorinë e Parë.
Edhe këtë vit situata duket të jetë e vështirë, por që drejtuesit peqinas po mendojnë të prodhojnë forma të ndryshme që mund të nxjerrin ekipin nga kjo situatë. Së fundmi, drejtuesit peqinas kanë bërë një thirrje të përgjithshme për ndihmë nga biznesi, tifozeria dhe dashamirët e ekipit. Në këtë komunikatë kërkohet që të gjithë ata që do të ndjekin Shkumbini këtë sezon të bëjnë një para pagesë në formën e “abonesë”.
Ajo do t’u sigurojë këtyre personave një vend në tribunën e stadiumit për të gjithë sezonin.
Nga ana tjetër, buxheti që do të mund të grumbullohet do të shërbejë për të plotësuar disa detyrime të rëndësishme për mbarëvajtjen e sezonit. Ndër to përfshihen pagat e sportistëve dhe stafit teknik, federimet në këtë prag sezoni, udhëtime dhe dieta për lojtarët. Po ashtu, drejtuesit janë shprehur se për çdo qindarkë të mbledhur do të ketë një transparencë, e cila do të mund të publikohet edhe në faqen zyrtare të ekipit.
Tashmë pritet të shihet gatishmëria që do të ofrojnë dashamirësit e këtij sporti argëtues, të cilin peqinasit e dashurojnë.