Gjergj Vyshka 13.09.2016 18:55
Bardheblutë e koshit do të jenë përballë Pejës e Trepçe Mitrovicës, MKK Feni Industries dhe Karpos Sokoli 2000 të Maqedonisë e Sutjeskës së Nikshiqit në Malin e Zi. Gjithnjë në grupi B. Tirana, përfaqësuesja e Shqipërisë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për meshkuj, ka mësuar dje kundërshtarët e saj, ndërsa janë ndarë grupet e fazës së parë. Bardheblutë e maqedonasit Sllobodan Petrovski ndodhen në grupin B, ndërsa do të jenë përballë kosovarëve të Pejës dhe Trepçe Mitrovicës, maqedonasve të MKK Feni Industriers dhe Karpos Sokoli 2000, si dhe malazezëve të Sutjeskës së Nikshiqit.
Në grupin A, gjithnjë sipas njoftimit të Ligës Ballkanike, për “SIGAL Uniqa Balkan Ligë” do të jenë Beroe Stara Zagora e Bullgarisë, Bashkimi i Prizrenit dhe SIGAL Prishtina të Kosovës, Kozuvi dhe Kumanovo 2009 e Maqedonisë, si dhe Teodo e Malit të Zi. Liga Ballkanike ka sqaruar se ndarja e skuadrave në grupe është bërë mbi bazën e mundësive që kanë, sukseseve të skuadrave sezonet e kaluar, pozicionet e tyre gjeografike. Kështu janë ndarë 12 skuadra në dy grupe, prej të cilave 4 të parat e çdo grupi kualifikohen për fazën e 8 më të mirave.
Aty ku do të jenë dy grupe me nga 4 skuadra. Dhe dy të parat kualifikohen më pas për në gjysmëfinale. Kalendari i fazës së parë, gjithnjë sipas Ligës Ballkanike, do të prezantohet në 48 orët e mëvonshme, ndërsa do të merret parasysh pjesëmarrja e Pejës dhe SIGAL Prishtinës në “FIBA Europe Cup”, si dhe Karpos Sokolit 2000 në “ABA Ligë”, që është Liga e Shoqatave të Basketbollit të Vendeve të Adriatikut. Ndërkohë përfshirja e BC Levskit 2014 do të bëhet duke verifikuar dhe mundësitë financiare të saj për pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike.
Një vendim i tillë nga Liga Ballkanike do të mund të merret në ditët në vazhdim. Sidoqoftë, e rëndësishme është që Tirana tanimë i di kundërshtarët, ndërsa më 29 shtator 2016 në Sofje do të jenë përfaqësuesit e klubit bardheblu, për të mësuar në hollësi kushtet e pjesëmarrjes në këtë turne rajonal, që në fakt nis më 11 tetor 2016. E ashtu siç është theksuar dhe ditë më parë, Liga Ballkanike e Basketbollit ka shprehur dëshirë që ta nis nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, atje ku Tirana e basketbollit të meshkujve do të luajë ndeshjet e saj ndërkombëtare.