AlbanianSport.com 13.09.2016 11:35
ASNN – Shqipëria do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL) dhe ekipi përfaqësues i saj, Tirana, ka mësuar kundërshtarët e grupit në këtë veprimtari rajonale. Bardheblutë e koshit do të jenë në grupin B, përballë dy skuadrave kosovare, dy skuadrave maqedonase dhe një skuadre malazeze. Kështu, Tirana, përfaqësuesja e Shqipërisë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për meshkuj, ka mësuar edhe kundërshtarët e saj, teksa janë ndarë grupet e fazës së parë, që nis më 11 tetor 2016.
Bardheblutë, që këtë sezon do të drejtohen nga trajneri maqedonas, Sllobodan Petrovski, ndodhen në grupin B, ku do të jenë përballë kosovarëve të Pejës dhe Trepçës së Mitrovicës, maqedonasve të MKK Feni Industries dhe Karpos Sokolit 2000, si dhe malazezëve të Sutjeskës së Nikshiqit. Ndërsa në grupin A, gjithnjë sipas njoftimit të Ligës Ballkanike, do të jenë Beroe Stara Zagora e Bullgarisë, Bashkimi i Prizrenit dhe SIGAL Prishtina të Kosovës, Kozuvi dhe Kumanovo 2009 e Maqedonisë, si dhe Teodo e Malit të Zi.
Liga Ballkanike ka sqaruar se ndarja e skuadrave në grupe është bërë mbi bazën e mundësive që kanë, sukseseve të skuadrave sezonet e kaluar, pozicionet e tyre gjeografike. Në të tilla kushte janë ndarë 12 skuadra në dy grupe prej të cilave katër të parat e çdo grupi kualifikohet për fazën e tetë më të mirave, ndërsa do të jenë dy grupe me nga katër skuadra. Dhe dy të parat kualifikohen më pas për në gjysmëfinale, për të vijuar më pas me finalen.