Gjergj Vyshka 12.09.2016 08:50
Luftëtari shqiptar i MMA-së, Adrian Hadribeaj u rikthye te titulli “kampion bote” në Divizionin TXC. Djaloshi shqiptar fitoi mbrëmjen e 10 shtatorit 2016 në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Leonard Simpsonit. Fitorja erdhi e shpejtë për Adrian Hadribeajn, i cili e rrëzoi kundërshtarin që në raundin e parë në ndeshjen për titullin botëror në ndeshjet e Lira. Hadribeaj, i cili stërvitet nga trajneri amerikan Josef Batalja, e detyroi kundërshtarin me bllokim-kapje dhimbjeprurëse.
Ndonëse Leonard Simpsoni u përpoq të qëndronte, ringu ishte i vogël dhe mundësia e shuar për ta shpëtuar nga kapja e fortë e Hadribeajt, i mbiquajtur “The Eagle”. Hadribeaj, edhe pse kishte një ndeshje tepër të vështirë, u tregua i vendosur për ta marrë fitoren e shumëpritur. Adrian Hadribeaj është sportist i rritur në Shqipëri në karate me trajnerët Ramiz Ismailgeci dhe Parid Dule. Ai u shpall “kampion” i Ballkanit dhe “kampion” i Evropës në disiplinën e arteve marciale të karatesë në vitin 2011 dhe më pas u zhvendos në SHBA.
Në vendin e madh të përtej Oqeanit, Adrian Hadribeaj spikati menjëherë në sportin e MMA-së duke fituar 14 nga 15 ndeshje dhe humbur veç një. Hadribeaj është sportisti i parë shqiptar me një sukses të jashtëzakonshëm në sportin më të vështirë dhe të përhapur sidomos në SHBA. Hadribeaj është dhe mbështetës i Federatës në Shqipëri për “Artet Marciale Mikse”, ose siç njihet Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira, “MMA”.
“Ndeshjet e Lira” përbëhen nga sportet luftarakë dhe artet marciale, përfshi dyluftimet në kafaz. Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira MMA drejtohet nga presidenti Arjan Rizaj. Në Shqipëri vlerësohet të ketë afërsisht 470 praktikues që konkurrojnë në nivel amator në Shqipëri.