AlbanianSport.com 11.09.2016 16:15
ASNN – Prezantohet Julian Ahmataj si trajner: “Unë e njoh Ballshin si qytet, e do futbollin. Kemi një skuadër me cilësi të mira, por duhet shumë punë për ta rikthyer në Superiore”. Julian Ahmataj është prezantuar në Ballsh dje nga presidenti Kapllanaj para skuadrës që do të drejtojë në edicionin e ardhshëm. Ahmataj e ka studiuar Bylisin dhe e shpreh hapur bindjen se ky ekip do të ngjitet në elitë.
“Kam nisur një aventurë të re si trajner, e njoh Ballshin si qytet, e do futbollin”, – ka thënë ai. – Kam ardhur këtu që këtë skuadër ta rikthejmë në elitë. Bylisi ka lojtarët dhe skuadrën më të mirë dhe unë jam i bindur se do ngjitemi në Kategorinë Superiore. Por të gjithë duhet të kemi parasysh faktin se na pret një punë shumë e madhe, sepse në grup ka shumë konkurrencë.”
“Janë shumë ekipe me emër që duan Superioren, – ka vijuar ish-futbollisti që kthehet pas afro 17 vjetësh në Ballsh. – Sigurisht që Bylisi bën diferencën për infrastrukturën dhe kushtet e tjera, por neve na duhet puna për të shkuar aty ku të gjithë duam. Unë besoj se me të gjithë faktorët mbështetës, Bylisin do e çojmë në elitë.” Ahmataj rikthehet pas afro dy dhjetëvjeçarësh në Ballsh.
Ai synon suksesin si trajner, duke qenë se si lojtar u bë pjesë e historisë së skuadrës mallakastriotë që në vitin 1998-1999. “Janë dy periudha ndryshe, – ka këmbëngulur Ahmataj, i pyetur për një paralelizëm midis dy periudhave të tij “ballshiote”. – Atëherë Bylisi ishte në elitë. Tashmë jemi në Kategorinë e Parë dhe detyra jonë është rikthimi në elitë.”