Gjergj Vyshka 10.09.2016 13:45
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, ka bërë të ditur të gjitha kriteret e pjesëmarrjes në veprimtaritë kombëtare të klubeve, jo vetëm me të rritur e të rritura, por dhe të rinj e të reja, apo para të rinj dhe para të reja. “Ne jemi duke ndërtuar një sistem të sigurt me statistikat, jo vetëm të ndeshjeve, por dhe të trajnerëve, ndërsa një formular A3 i është dërguar klubit për gjithçka që ka”, – ka sqaruar ai.
“Një formular A2 është në mënyrë të veçantë për trajnerët, të cilët do ta plotësojnë vetë duke shpjeguar dhe kërkesat që kanë për rritjen e cilësisë së tyre, – ka vijuar numri 2 i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Sepse kështu ne më pas do ta kemi më të lehtë për të ndërtuar trajnime të ndryshme. A4 është për regjistrimin e skuadrave në aktivitet, që ka një afat deri më 16 shtator.” Ai ka vijuar të thotë se tashmë do të jetë një licencë elektronike në formën e një karte, e cila do të ketë lehtësira të ndryshme.
“Që do të thotë se ne kemi ndërtuar një marrëveshje me një kompani sigurimi dhe për të gjitha siguracionet tuaja të gjithçkaje, do të ketë një ulje 20 %, – ka sqaruar Vokopola. – Duhet të dimë që nuk jemi një Federatë e pasur, por me të tilla gjëra lehtësohen në një farë mënyre pagesat. Dhe na duhen fotot elektronike për to. Dhe formulari A5 është për sponsorët e ekipeve, ndërsa do të paguhet një kuotë 10.000 lekë të rinj në vit në Federatë për to.”
Ndërsa Pëllumbi ka përmendur dhe marrëveshjet që janë duke u bërë me një numër kompanish të ndryshme shqiptar, në të cilat çdo i licencuar me kartën elektronike të FSHV-së do të ketë lehtësirat e veta. Është kërkuar me këmbëngulje forcat e rendit dhe mjeku i sallës, pa të cilët pas 30 minutash ndeshja humbet në tavolinë.