AlbanianSport.com 09.09.2016 08:50
ASNN – Kryebashkiaku Sejdini: Ne u kemi vënë disa kritere, që duhet të respektohen nga ana e kësaj kompanie, siç është mosndryshimi i emrit të klubit të futbollit, si edhe pagesa e detyrimeve që ka klubi ndaj tatimeve dhe palëve të treta. Kështu, hapet drita jeshile në Këshillin Bashkiak të Elbasanit për të shitur aksionet tek kompania anglezo-zviceriane “LEVEL UP SA”.
Dje është miratuar në parim që të mblidhet një komision prej 5 anëtarësh (Altin Idrizi, Blendi Himçi, Elena Xhina, Albert Shopi dhe Luiza Popja) për të diskutuar rreth shitjes së aksioneve tek kjo kompani që ka shfaqur interes për të marrë në zotërim 54 % të aksioneve që zotëron Bashkia. Më parë, kjo kompani bleu ato të Arben Lazes, pra 46 % të aksioneve dhe synon të bëhet pronare e vetme e klubit.
Parimisht u ra dakord në mënyrë unanime që të hyhet në bisedime dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të votohet përfundimisht shitja e aksioneve. Në këtë mënyrë pritet të nisë një “erë” e re në klubin e futbollit të Elbasanit, ku synimi do të jetë të ngrihet në nivelet më të larta të futbollit shqiptar, aty ku ishte një dhjetëvjeçar më parë, kur edhe shpallej “kampion” i vendit.