Gjergj Vyshka 08.09.2016 18:10
Si të barabartë, në Sllovaki kuqezinjve u bien në qafë “bilbilat”. Trajneri i kroatëve të Sllovakisë, Ivan Rudez, është “ndihmuar” nga bashkëqytetari i tij gjyqtari kroat, Josip Radojkoviç, për fitoren. “Teknik” për qipriotin Kostantinides dhe asnjë faull në dëm të Hysenagollit. Sllovakia e ka nisur me një kosh me vlerën e dypikëve. Por kundërpërgjigjet shpejt Broudus me trepikësh dhe jemi në epërsi.
Dy sulme të sllovakëve dhe 7-3. Ndërkohë që, për Shqipërinë mendon Hysenagolli, i cili deri në fund të pjesës së parë do të shënonte 8 nga 11 pikë të realizuara prej kombëtares kuqezi. Pjesa e parë është mbyllur 14-11. E dyta, edhe për shkak të zëvendësimeve të kryera nga Kostantinides, nis me një shpërqendrim dhe çekuilibrim të kuqezinjve.
Dhe Sllovakia nuk fal. Shkëputet me një epërsi të pjesshme 6-0 dhe 20-11. Vetëm trepikëshi i Dushës i ka futur në lojë dhe 20-14. Një tjetër trepikësh i Broudusit dhe 22-17. Na afron amerikani me dy gjuajtjet e tij të lira të sakta në 22-19. Luhet pikë më pikë, 24-21, 26-24 (Shima 3-pikësh), 28-27 (trepikësh Broudus), 28-29 (Broudus) dhe për herë të parë në epërsi.
Mirëpo vetëm kaq, sepse me një trepikësh të Tot dhe një dypikësh të Batkës, Sllovakia ka dalë në epërsi 34-29. Dhe Shqipëria e ka mbyllur pjesën e dytë me dypikëshin e amerikanit. 20-20 dhe në total 34-31. Pas pushimit Sllovakia është më e qetë dhe duke fituar 25-17 ka thelluar në 59-48.
Një përpjekje titanësh e tanëve, të cilët fitojnë pjesën e fundit 10-12 dhe ngushtojnë në 69-60 që ishte dhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Sllovaki – Shqipëri 69-60
(14-11, 20-20, 25-17, 10-12)
Sllovakia: Jas (3), Bilik (5), Korner (20), Batka (17), Tot (2) /Krajcoviç, Baldovski (7), Milosheviç (11), Bashan, Belavi, Bojanovski (4). Trajner: I. Rudez
Shqipëria: Vogli, Hysenagolli (17), Shima (12), Shestani, Broudus (23) / Taflaj, Dusha (5), Lasku, Gjyzeli, Topalli (3), Deda. Trajner: A. Kostatinides
Gjyqtarë: A. Sinterniklas (Holandë), M. Ambrosov (Ukrainë), J. Radojkoviç (Kroaci)