AlbanianSport.com 08.09.2016 11:45
ASNN – Trajneri i lezhjanëve: “Na duhet një skuadër e kompletuar, me futbollistë profesionist në të gjitha drejtimet. Dhe mendoj se në këtë drejtim jemi në rrugë të mbarë. Tashmë do ta shohim kur të nisi gara.” Stavri Nica e ka marrë seriozisht punën në krye të Besëlidhjes. Ndaj, gjatë seancave stërvitore, ai po punon shumë në mënyrë që futbollistët të marrin atë që duhet të ketë nga të gjitha pikëpamjet e një futbollisti profesionist. Me skuadrën e tij, deri tani, është pjesërisht i kënaqur.
Po ashtu edhe me kushtet dhe këtë e shprehu gjatë një bisede për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, ku ndër të tjera tha: “Unë kur kam pranuar që të stërvis Besëlidhjen dhe për këtë jam menduar gjatë, pasi kjo skuadër kërkon që të ngjitet në Superiore. Që ditën e parë në krye të Besëlidhjes kam punuar fort me një program bashkëkohorë dhe të përgatitur enkas për kushtet dhe filozofinë e lezhjanëve si një skuadër “kampione”.”
“Për të përmbushur këtë duhet shumë punë, si teorike, ashtu dhe praktike, – ka vijuar durrsaku i stolit lezhjan. – Duhet luftë nervash dhe lodhje fizike, gjë që jam munduar t’i aplikoj. Për të ndërtuar një skuadër “kampione” duhen pasur parasysh shumë faktorë, por unë po rendis ato më kryesoret. E para duhet që lojtarët e ardhur, nga kanë ardhur, kush i menaxhon dhe si janë paraqitur nëpër skuadrat ku kanë luajtur, të përmbushin kërkesat e Besëlidhjes.”
“E dyta baza materiale dhe terrenet sportive të stërvitjes duhen të plotësojnë disa standarde, që këtu në Lezhë po përmirësohen, – ka vijuar trajneri veteran. – E treta si sillen dhe si stërviten individualisht futbollistët, që kjo duhet të aplikohet një orë që në mëngjes nga ora 6-7. E katërta, puna në grup e futbollistëve dhe marrëdhëniet e tyre më njëri-tjetrin, kundërshtarin, trajnerin dhe presidentin. E pesta shpirti i garës dhe vendosmëria për të zotëruar lojën deri në mbyllje të saj.”
“E gjashta, disiplina, si individuale, ashtu edhe në grup. E shtata, si do arrihet disiplinimi i një skuadre që çedon në disiplinë, – ka theksuar ish-drejtuesi i një numri të madh skuadrash në futbollin shqiptar. – Marrëdhëniet me kundërshtarin, me njëri-tjetrin dhe disiplina tekniko-taktike në fushë, ku lojtarët analizohen një për një. Për të ndërtuar një skuadër të fortë, shumë agresive për të marrë topin, për zotërimin e tij dhe krijimin e manovrës sulmuese në zonat e caktuara dhe për të finalizuar aksionin.”
“Ndaj vetëm lojtarët që iu përgjigjen këtyre kërkesave me përpikëri do të jenë pjesë e Besëlidhjes që unë drejtoj. Gjithë puna ime në krye të Besëlidhjes do të mbështetet në këto koncepte dhe shenjat janë pozitive. Lojtarët përfundimisht duhet të jenë të bindur në vetvete për atë çka zotërojnë, sepse kështu krijohet mentaliteti për një skuadër agresive e motivuar për rezultate pozitive”, – ka përfunduar trajneri i Besëlidhjes, Stavri Nica.