AlbanianSport.com 08.09.2016 10:50
ASNN – Shqipëria në basketboll për meshkuj është mundur nga Sllovakia me rezultatin 69-60, duke pësuar kështu humbjen e tretë në eliminatoret e EuroBasket 2017-ës. Në sfidën e luajtur të mërkurën në mbrëmje, kuqezinjtë e koshit kanë zhvilluar një lojë më të mirë se në dy ndeshjet e para, por, sidoqoftë, kjo nuk ua ka mundësuar dot fitoren. Kështu, për kombëtaren e basketbollit të meshkujve vjen humbja e 3-të në Eliminatoret e Kampionatit Evropian.
Të mërkurën në mbrëmje, kuqezinjtë e koshit janë mundur nga Sllovakia me rezultatin 69-60, ndeshje kjo e luajtur në Prievidza të Sllovakisë. Ndryshe nga dy ndeshjet e para, këtë radhë basketbollistët tanë luajtën më mirë dhe ishin më rezultativë në gjuajtje. Me pak fat edhe mund ta kishim fituar këtë takim, pasi në dy pjesët e para, loja ka qenë e barabartë.
10 minutat e para janë mbyllur 14-11 për sllovakët ndërsa 10 minutat e dyta me rezultatin e barabartë 20-20. Fraksioni i tretë flet për vendasit që janë më kërkues dhe krijojnë diferencën. Në 10 minutat e fundit basketbollistët tanë luajnë më mirë dhe arrijnë të ngushtojnë diferencën në 5 pikë, 59-54. Por disa gabime në sulm sjellin sërish shkëputjen e vendasve.
Loja bëhet më emocionuese teksa lojtarët tanë janë më kërkues drejt fitores së parë por jo çdo gjë shkon mirë për ta. Megjithë zëvendësimet e trajnerit Kostandinides, kombëtarja shqiptare e koshit nuk arrin të fitojë. Për Sllovakinë vjen fitorja e parë në takimet e këtyre eliminatoreve të “EuroBasket 2017”. Të shtunën nisin ndeshjet e kthimit në këtë grup.