Nga Gjergj Vyshka 07.09.2016 22:05
“Çdo përpjekje për të cënuar Federatën Shqiptare të Mundjes do të sjellë një bumerang për këtë sport nga ndërkombëtarët”, – ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i FSHM-së, Ndriçim Spahiu.
E parë kështu, pa dashur të bëjmë tifozin, kur në politikë kërkojmë dhe pranojmë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për çdo reforme, madje jo shpesh përmendin Venecian, Strasburgun e Helsinkin, apo gjithçka tjetër, atëherë dhe në sport duhet t’i dëgjojmë ndërkombëtarët.
Për të mos u bërë gazi i botës, sepse ata e kanë të thjeshtë të të bllokojnë me pretekstin ndërhyrje shtetërore. Një autogol dikur e kemi pas bërë me futbollin më 1996 në qeverinë “Meksi”, apo dhe më vonë me qeverinë Berisha, por FIFA e UEFA na bllokuan derisa u bindën që futbolli duhet lënë rehat.
Kështu që shembujt ekzistojnë, ashtu sikurse ekzistojnë dhe në bllokime të shteteve të tjera të botës, deri në Komitetet Olimpike, për ndërhyrje të shtetit në punët e brendshme.
Tashmë i takon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar të flasë dhe të thojë se çdo bëhet nëse mundja do të vijojë me dy federata, apo do të gjendet një modul për t’i bashkuar.
Shkurt Biba e Spahiu e kanë marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kjo duhet të jetë “vath” në vesh për të gjithë. Sepse ndërkombëtarisht njihet Federata Shqiptare e Mundjes me president Martin Bibën.