Gjergj Vyshka 07.09.2016 10:25
Sllobodan Petrovski është trajneri i ri i Tiranës në basketboll për meshkuj i përzgjedhur në tre kandidatura që deri të hënën në mbrëmje ishin në tavolinën e shefit të klubit bardheblu Spiro Koleka. Përveç tij, ashtu sikurse është shkruar dhe një ditë më parë në Sport Ekspres, kanë qenë edhe slloveni Ziga Mravljak dhe malazezi Bosko Radoviç, i cili ishte një nga ndihmëstrajnerët e Bogdan Tanjeviçit tek Mali i Zi.
Por në fund është vendosur për Petrovskin, që sipas menaxherit të Tiranës në basketboll për meshkuj Melzin Lazimi, vjen sot. “E sot do të diskutohen dhe detajet e kontratës dhe do t’i firmosi ato. E më pas, teksa të jetë rënë dakord për gjithçka, do të marrë në dorë skuadrën dhe do të nisë përgatitjet. Por ai do të jetë trajneri i parë i Tiranës”, – thotë Lazimi.
Tashmë, tek bardheblutë e koshit, që pas shumë vitesh rikthehen në një veprimtari zyrtare ndërkombëtare, ka nisur një erë e re. Liga Ballkanike, por dhe kampionati e Kupa e Shqipërisë do të jetë një impenjim i madh për të gjithë ata që do të veshin fanellën e kësaj skuadre. Sigurisht që edhe mbështetja e tifozerisë do të jetë maksimale.
Kjo, pavarësisht se Tirana ndeshjet ndërkombëtare do t’i luajë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, sikurse ndodh me fazën finale të “play-off”-it për titullin “kampion”. Petrovski është trajneri i ri i Tiranës në basketboll për meshkuj me një përvojë në drejtimin e skuadrave maqedonase, sidomos të atyre që kanë marrë pjesë në Ligën Ballkanike. E përkrah tij do të jenë dhe Borova e Ago.
Skeda e Sllobodan Petrovskit
Datëlindja: 11 shkurt 1970
Vendlindja: Shkup
Kombësia: Maqedonase
Gjatësia: 1.95 metra
Roli: Organizator
Karriera si lojtar:
1989-1994 MZT Shkup
1994-1995 Zito Vardar
1995-1998 MZT Shkup
1998-2001 Nikol Fert
2001-2005 Vardar Shkup
Karriera si trajner:
2009-2010 Vardar Osiguruvanje
2011-2012 Torus
2013-2014 Strumica