Nga Klodeta Gjini 25.08.2016 17:20
Thirrja e golfistit shqiptar, Marin Harxhi: “Përfitoj nga rasti të ngrija vetëdijen e të gjithë instancave në vendit tonë, që, edhe pse e kanë të pamundur gjetjen e një fushe në përmasat e fushave të golfit, të paktën një fushë praktike në kryeqytet do ishte një fillim i mirë”.
Intervistën e tij, dhënë për Mjeshtren e Merituar të Sportit dhe njëkohësisht rekordmene kombëtare të kërcimit së larti, Klodeta Gjini, të botuar në “Sport Ekspres”, AlbanianSport.com jua sjell sot të plotë si vijon:
– Përshëndetje Marin dhe suksese për pjesëmarrjen në Budapest në “EGA”. Golfi është një sport i ri për publikun dhe mjedisin shqiptar. Mund të na japësh disa informacione për të në Shqipëri?
– Përshëndetje Klodeta dhe faleminderit që më dhatë mundësinë për këtë intervistë. Faleminderit gjithashtu për urimin! Siç e përmendet edhe ju golfi është një sport shumë i ri për publikun dhe mjedisin shqiptar. Ky sport lindi nga dëshira e disa lojtarëve amatorë, të cilët jetojnë jashtë kufijve shqiptarë për t’u bërë bashkë dhe përfaqësuar për herë të pare ngjyrat e flamurit në arenën ndërkombëtare. Them ndërkombëtare pasi për momentin ky sport elitar në vendin tonë akoma nuk ka gjetur përkrahjen e shtetit për ambiente ku të mundësohet ushtrimi për shumë të rinj duke iu dhënë mundësinë atyre për t’u larguar nga shumë vese dhe strese të përditshme. Golfi është jo vetëm një lojë tërheqëse dhe konkurruese, por është gjithashtu një lojë që sjell më afër njerëzit, biznesin, turizmin dhe, në veçanti, kulturën dhe paqen me natyrën.
– Të luash golf do të thotë edhe të njohësh të 300 rregullat të cilat zbatohen në lojë dhe të dish anglisht për të marrë pjesë në turnetë ndërkombëtar. Mund të na bëni një prezantim të ekipit?
– Po është e vërtetë që golfi ka shumë rregulla dhe lojtarët duhet t’i njohin ato kur janë në fushë, pasi do të ishte shumë e vështirë për ta të kuptojnë dhe komunikojnë me lojtarët e tjerë dhe natyrisht me gjyqtarët. Megjithatë, të them të drejtën, anglishtja nuk i ka penguar shumë djemtë tanë, pasi ata janë njohës shumë të mirë të rregullave të golfit dhe kjo i ndihmon ata të jenë të barabartë në fushë me kundërshtarin. Federata, në këtë kuadër, ka përkthyer në shqip rregullat thelbësorë, me lejen dhe aprovimin e klubit më të vjetër mbretëror St. Endrju të Skocisë. Federata Shqiptare e Golfit është themeluar në vitin 2011, së bashku me ekipin kombëtar, dhe çdo vit ka rritje pasi shume shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë dhe luajnë golf kanë dëshirë t’i bashkohen ekipit. Në fakt, Themelimi i Federatës tonë ka qenë edhe një përkim rastësor, pasi në të njëjtin vit Klubi Mbretëror i St. Endrju vendosi të organizonte për herë të parë turneun e Ballkanit. Synimi ishte ngritja e nivelit të golfit të shteteve në zhvillim si Shqipëria, Maqedonia etj. Dua të përmend këtu që rolin kryesor në anëtarësimin tonë në “EGA” (European Golf Association) e ka Federata e Golfit të Bullgarisë, pasi ata na mundësuan fushën e tyre në Sofie si dokumentacion për anëtarësim.
– Lojtarët në golf klasifikohen sipas “handikap”-it të tyre. Diçka më tepër për ekipin tonë dhe pozicionet përkatëse të lojtarëve?
Secili nga lojtarët ka një “handikap”. Për ata që s’e dinë si term dhe nuk njohin golfin, ky është një lloj mesatareje pikësh, që secili lojtar e merr në bazë të paraqitjes në çdo fushë që luan. Sa më i vogël “handikap”-i, aq më i mirë është lojtari. Lojtarët tanë kanë “handikap” të mirë. Haziz Allkja është me 4, Erjoni është me 4.5, Edmond Mebelli 7 dhe për herë të parë këtë vit kemi pasur një lojtar nga Skënderaj i Kosovës, Mërgim Gjinovci ku “handikap”-i i tij është 0.6. Haziz Allkja ishte lojtari i parë në kombëtaren tonë dhe është një nga shtyllat e këtij ekipi, pasi ai jeton dhe punon me golfin. Momentalisht ai jep dhe leksione golfi në Firence të Italisë. Kryesisht lojtarët tanë jetojnë dhe stërviten në Itali, por ka edhe në Francë e Gjermani.
– Të ushtrosh golfin do të thotë t’i dedikohesh edhe shumë orë stërvitjes. Mund të ja jepni sisa informacione më të hollësishme në lidhje me strukturat e këtij sporti në mjedisin shqiptar?
– Golfi është lojë shumë impenjuese, pasi nuk është vetëm aspekti fizik, por edhe ai mendor. Si çdo sport tjetër edhe lojtarit të golfit i nevojitet shumë punë dhe praktikë. Mjediset ku lojtarët tanë ushtrohen jashtë Shqipërisë i kanë të gjitha kushtet. Aktualisht në Evropë shtetet e kanë mbështetur dhe i kanë dhënë prioritet për brezat. Në Shqipëri jemi akoma larg një projekti të tillë, edhe pse angazhimi jonë ka qenë dhe është maksimal. Përfitoj nga rasti të ngrija vetëdijen e të gjithë instancave në vendit tonë, që, edhe pse e kanë të pamundur gjetjen e një fushe në përmasat e fushave të golfit, të paktën një fushë praktike në kryeqytet do ishte një fillim i mirë. Dëshiroj të theksoj që Federata jonë, mbase ka edhe federata të tjera, nuk ka përfituar asnjë fond nga të gjitha qeveritë që nga themelimi i saj.
– Mund të dimë diçka të veçantë nga turneu i fundit në Budapest?
– Turneu i Budapestit shënoi një kthesë të mire në historikun e kombëtares sonë, pasi arritëm të lëmë mbrapa shtete si Ukraina, Maqedonia, Armenia. Sigurisht ka vend për përmirësim të mëtejshëm pasi janë 6 shtete para nesh në klasifikim, të cilat duhet t’i marrim seriozisht në garat e ardhshme.
– Gara e ardhshme kur është dhe ku?
– Gara tjetër e të njëjtit niveli do të jetë në gusht të 2017-tës, në Pravets te Bulgarise. Sigurisht që mund të marrim pjesë edhe në gara individuale të kalendarit të EGA, por ende nuk janë përcaktuar.