Gjergj Vyshka 17.08.2016 14:20
Shqiptari që përfaqëson Bullgarinë, kampion bote më 2011-ën, nuk ka mundur të shkojë më shumë se sa turi çerekfinal në Lojërat Olimpike. Shqipëria nuk pati vetëm gjashtë sportistët e saj, por pati dhe të tjerë shqiptarë, të cilët për arsyet e veta, apo dhe përbuzje nga shtetarët e drejtuesit e sportit, përfaqësojnë vende të tjera të Evropës dhe botës.
Njëri prej tyre është Elis Guri, i cili së bashku me Sahid Prizrenin kanë sjellë medalje duke u kualifikuar për Shqipërinë për në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Por më pas Guri për mospërmbushje të detyrimeve ekonomike nga Shqipëria largohet nga vendi dhe përfaqëson Bullgarinë. Sot, në Lojërat Olimpike, në peshën 98 kg për stilin greko-romak, ai është eliminuar në çerekfinale.
Më parë kishte fituar në turet eliminatore ndaj algjerianit Hemza Halui me rezultatin 9-2. Po kështu ka bërë edhe ndaj gjeorgjianit Revazi Nadareishvili, në shifrat 3-2. Por ka rënë në turin çerekfinal, teksa është mundur 0-9 nga suedezi Karl Fredrik Stefan Shën, që luftonte për medaljen e bronztë. Në përfundim Elis Guri është renditur i 7-ti në “Rio 2016”
Ndërkohë, armeni Artur Aleksanian është fituesi i medaljes së artë dhe titullit të kampionit olimpik në mundjen greko-romake teksa mundur në finale 3-0 kubanezin Jasmani Daniel Lugo Kabrera. Dy medaljet e bronzta kanë shkuar për turkun Xhek Ildem dhe iranianin Gasem Golamrez.
Rezultatet teknike të mundjes greko-romake pesha 98 kg\
1) Artur Aleksanian (Armeni)
2) Jasmani Daniel Lugo Kabrera (Kubë)
3) Cek Ildem (Turqi)
3) Gasem Golamrez (Iran)
———————————————————-
7) Elis Guri (Bullgari)