Gjergj Vyshka 17.08.2016 13:25
Në prani të presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, dhe drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi, është firmosur një marrëveshjen 3-vjeçare. Kombëtarja e basketbollit të meshkujve, e cila është në prag të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2017, por dhe Kampionati Kombëtar, apo dhe veprimtari të tjera kombëtare të koshit do të jenë në RTSH në transmetim direkt.
“Jemi duke firmosur këtë marrëveshje bashkëpunimi me TVSH-në, – thotë Ponari, -ndërsa që nga kombëtarja e basketbollit e deri tek kampionati, apo dhe ndeshje të rëndësishme të moshave do të jenë në këtë ekran për tre vjet. Kjo nuk do të thotë që televizionet e tjera nuk do ta japin basketbollin, përkundrazi shumë shpejt do të jenë ato që do të na vijnë pas për gamën e gjerë të veprimtarive kombëtare që ne kemi.”
“Ne jemi të kënaqur për këtë marrëveshje”, – ka shtuar ai. Ndërkohë, premtimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, ka qenë krijimi i një kanali sportiv që do të japi 24 orë vetëm sport. “Jam i kënaqur për këtë marrëveshje. Shpresojmë që me këtë marrëveshje t’i japim basketbollit shqiptar vendin e duhur, rëndësinë e duhur e pse jo dhe popullaritetin”, – ka nënvizuar Gëllçi e pas shkëmbimit të protokolleve të marrëveshjes së bashkëpunimit me FSHB-në është larguar.