Gjergj Vyshka 16.08.2016 17:05
Stërmasi ka dhe një sulm për pseudospecialistët, të cilët deklarojnë zhgënjim, mizerje për mosmarrjen e medaljes. “Për mua, – thotë Stërmasi, – Luiza e ka marrë një medalje dhe shumë të madhe. Për herë të parë atletika shqiptari mori medalje në Evropian që për të gjithë ka qenë një utopi. Dëgjoj pseudospecialistët që duket sikur mezi pritën dhe dolën menjëherë nga skutat ku ishin fshehur.”
Por cila është Luiza Gega për Taulant Stërmasin? “Luiza është sportiste që do t’i rezistojë kohës gjatë dhe këtë e ka treguar ndërsa çdo vit është më i mirë se ai i mëparshmi e kjo për 9 vjet radhazi, – thotë ai. – Ka se çfarë të përmirësojë dhe medaljet evropiane do të jenë të zakonshme për të. Synimi, sigurisht që është medalja botërore, por për këtë duhen superkushte.”
“Por edhe kohë në dispozicion të atletes që ajo të njohë garën më mirë dhe të stërvitet për 3,000 metra me pengesa, – ka vijuar trajneri. – Unë e kam thënë që edhe në Evropian e Amsterdamit, ajo kishte probleme, pasi mundësitë janë për një kohë 15-20 sekonda më mirë se sa Evropiani. Më vjen keq për këdo që flet për sportin, sepse nuk e njeh.”
“Secili specialist të japë ndihmesën në sport duke stërvitur sportistë dhe jo të japë mendime nga kolltuku, – ka thumbuar trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi. – Ndaj jam duke përgatitur një projekt me objektiva dhe me kërkesa për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, në mënyrë që ta dimë se ku do të jemi vitin tjetër.”