Gjergj Vyshka 14.08.2016 14:25
7.72 metra ka qenë rezultati i fiksuar nga Izmir Smajlaj në kërcim së gjati, ndërsa në të dytin kishte arritur 7.61 metra dhe në të tretin ka bërë faull. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, Izmir Smajlaj nuk ishte vetvetja. “Izmiri, – thotë Ruli nga Rio, – ka kërcyer vetëm me forcën e talentit.”
“Që do të thotë se të gjithë elementët e tjerë që përmban kjo garë ishin në nivel të dobët, – vijon ish-atleti që e njeh mirë kërcimin së gjati duke qenë ish-rekordmen për shumë vjet i kësaj disipline. – Vrulli i shpejtësisë për në pedanë ishte jo cilësore, e po kështu dhe dalja nga pedana ishte me një fluturim konfuz.”
“Pse erdhi kjo? – ka theksuar Ruli më tej në analizën e tij. – Izmiri, siç e kam thënë dhe më parë ka talent botëror, por është pak i stërvitur, edhe sepse ka qenë i dëmtuar. Talenti i tij e ka sjellë deri këtu. Por mos harrojmë që edhe gara është zhvilluar në kohë të papërshtatshme”.
Ndërkohë vetë Izmiri, në një status në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” do të thonte: “Nuk arrita të kualifikohem për në finale dhe nuk ishte një rezultat që unë e dëshiroja. Por jam i kënaqur me rezultatet që kam arritur në kushtet ku jam stërvitur. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë dhe ju vlerësoj shumë.”