AlbanianSport.com 13.08.2016 18:00
ASNN – Një singaporian i panjohur që shtang Majkëll Felpsin në not dhe një shtytëse gjyleje që shkon një hap më larg se ç’kishte bërë i ati para 32 vitesh, kanë qenë dy prej episodeve më të spikatura nga dita e 7-të të Lojërave Olimpike “Rio 2016”.
Plot 32 vjet pas të atit, që mori një medalje të argjendtë në shtytjen e gjyles në Olimpiadën e 1984-ës në Los Anxheles, Mishelë Karter shkoi një hap më larg, duke u bërë ajo përfaqësuesja më e denjë e familjes së saj.
Kjo, pasi ajo mori medaljen e artë në këtë disiplinë në Lojërat e 31-ta Olimpike, që po mbahen në Brazil. 30-vjeçarja nga Kalifornia shtangu dy-herë kampionen olimpike, Valeri Adams të Zelandës së Re.
Në një finale dramatike të shtytjes së gjyles në Stadiumin Olimpik të Rios, Karter ka arritur largësinë 20 metra e 63 centimetra me provën e saj të fundit. Kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme për Karterin, e cila është edhe grimiere e licencuar.