AlbanianSport.com 13.08.2016 17:05
ASNN – Nuk e ka kapërcyer dot dëmtimin e mbartur dhe thjeshtka arritur ta mbyllë garën në baterinë e saj, pa arritur dot të kalojë në finale. Kështu ka ndodhur me sportisten e 6-të dhe e fundit e Shqipërisë në Lojërat e 31-ta Olimpike Verore, që po mbahen në Rio, Luiza Gegën, e cila ka garuar sot në bateritë kualifikuese të disiplinës së 3,000 metrave me pengesa në atletikë.
Sikundër e gjithë Olimpiada e Rios, edhe gara e Luiza Gegës u soll sot për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Luiza Gega, shansi i vetëm i Shqipërisë për medalje në Lojërat Olimpike, ka garuar të shtunën pasdite, me orën e Tiranës, në gjysmëfinalen e 3,000 metrave me pengesa, por pa arritur të lërë gjurmë.
Dëmtimi që ka pasur në tendinën e Akilit, ka bërë që atletja shtatshkurtër të mos jetë në shkallën maksimale. Megjithatë, ka garuar thjesht për ta mbyllur garën dhe ia ka dalë ta bëjë këtë përtej dhimbjes. Gega ka garuar në baterinë e dytë të garës së këtyre Lojërave Olimpike, që po mbahen në Rio, por që në fillim është vërejtur që ka patur probleme dhe gradualisht ka mbetur prapa.
Megjithëse erdhi si nënkampione në fuqi e Evropës në këtë disiplinë, ajo ia ka dalë ta mbarojë garën në vendin e 16-të, nga 18 garuese të kësaj baterie, si dhe e 32-ta nga 35 sportistë në renditjen e përgjithshme. Sikundër e gjithë Olimpiada e Rios, edhe gara e Luiza Gegës u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.