Gjergj Vyshka 11.08.2016 18:05
Basketbolli shqiptar dje ishte në zi, sepse në moshën 85-vjeçare është ndarë nga jeta Evgjeni Kote. Quajtur ndryshe pionierja e basketbollit shqiptar, sepse që në moshën 14-vjeçare është grumbulluar me kombëtaren për Kampionatin Ballkanik në Sofje.
Ishte viti 1948, ndërsa nuk kishte më shumë se sa një vit që Xheku, siç e thërrisnin, do të merrej me lojërat me dorë. Nga 1948-1959 ajo numëron 11 tituj kampion me “17 Nëntorin:, ndërsa me këtë klub luante dhe volejboll.
Është e mbushur me shumë tituj nderi, që nga Dekorata e Presidiumit të Kuvendit Popullor më 1953, Dekorata me Urdhërin “Naim Frashëri, Klasi i dytë”, Dekorata me “Urdhërin e Punës” Klasi i Dytë.
Është “Qytetare Nderi” e Tiranës, ndërsa në familjen e saj dy vëllezërit, Kiço dhe Theodhori janë marrë me sport dhe me art, ashtu sikurse dhe vëllai tjetër, Kristo Kote (kompozitor e dirigjent i Orkestrës së Operas).
Me këtë ndarje nga jeta të Evgjeni Kotes, basketbolli shqiptar ka humbur dhe një tjetër figurë. Federata Shqiptare e Basketbollit i ka dhënë ngushëllimet e saj nën emrin e presidentit Avni Ponari, ashtu dhe Redaksia e Gazetës “Sport Ekspres” dhe AlbanianSport.com.