AlbanianSport.com 10.08.2016 18:55
ASNN – Ka përfunduar brenda 59 sekondave e 99 të qindtave pjesëmarrja e notares shqiptare, Nikolë Merizaj, e cila ka konkurruar në disiplinën e 100 metrave stil i lirë për femra. Kështu, pas peshëngritëses Evangjeli Veli më 7 gusht dhe peshëngritësit Briken Calja mbrëmë, sonte ka qenë radha e anëtares së 3-të të delegacionit të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Bëhet fjalë për notaren e re, Nikolë Merizaj, e cila ka konkurruar në disiplinën e 100 metrave stil i lirë për femra, ndërsa gara në baterinë e saj, që u zhvillua sonte, duke nisur nga ora 18:00, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Sportistja 18-vjeçare, 1 metër e 80 centimetra e lartë, është një nga notaret premtuese në Shqipëri.
Ajo ka dominuar në pishinën shqiptare dhe duke marrë pjesë rregullisht në veprimtaritë ndërkombëtare. Megjithatë, duke patur parasysh nivelin e lartë të konkurrencës në Olimpiadë, nuk pritej shumë nga kjo notare e re. Nikola është renditur e 5-ta në baterinë e parë të kësaj disipline, duke e mbyllur e 43-ta midis 48 sportistëve në renditjen e përgjithshme.