Gjergj Vyshka 10.08.2016 18:00
Shefi i klubit shumësportësh kuqeblu, Mark Kroqi mendon se për një problem të tillë duhet që të thirret Asambleja e Jashtëzakonshme dhe kjo nismë të marrë miratimin ligjor pasi do të sjellë pakënaqësi me injorimin që po i bëhet asaj nga këto veprime të pakuptima. “Partizani, Erzeni dhe Iliria, – thotë Kroqi, – do të shtohen pa asnjë vendim zyrtar.”
“Nuk flas si trajner i Vllaznisë, por shoh se vazhdon të shkelet procedura ligjore duke injoruar Asamblenë e Federatës Shqiptare të Volejbollit, – ka vijuar ai. – Vllaznia përfiton pasi po shkërmoqen disa skuadra duke u ndarë në disa pjesë siç po ndodh me Studentin “kampion”, Tiranën dhe Teutën. Trajneri Tomori krijon Partizanin me lojtarët e tij nga Studenti.”
“Trajneri Sako po riformaton Studentin me disa lojtarë të Tiranës, Erzeni po riformohet me disa lojtarë të Teutës, – ka vijuar kreu i shumësportëshit shkodran. – Në fund të fundi çfarë të reje do të ketë kampionat? Asnjë ekip i saktë, vetëm “rrumpallë” masiviste”. E duke e mbyllur diskutimin e tij, Kroqi do të deklaronte: “Si mundet me koshiencë të plotë t’i hapet rruga anomalitetit në kurriz të cilësisë?”
“Si mund të lejohet (për më tepër të mbështetet) që një ekip të krijohet sot dhe nesër të marrë pjesë pa qenë pjesë zyrtare në një veprimtari kombëtare. Këto janë problemet që, përveçse ligjore, janë për t’u analizuar me grupet e interesit para se të merren vendime qoftë dhe të drejta”, – ka përfunduar Shefi i Klubit Shumësportësh “Vllaznia”, Mark Kroqi.