Gjergj Vyshka 09.08.2016 15:15
Thyerjesh rekordesh dhe në ditën e dytë të garave të notit në Stadiumin Olimpik të sporteve të ujit në Rio. Tre finale nga katër të ditës së dytë të notit në kalendar sjellin si fitues më të mirët e botës. Që, përtej të tjerave, nuk ndryshojnë “pronar”, sepse janë po të njëjtët që fitojnë prej vitesh. Fillohet me suedezen Sarah Sjostrom. Suedezja ka fituar garën e 100 metrave flutur me kohën 55”48 duke thyer dhe rekordin botëror që ishte 55”64 e që ishte i pathyer që nga 2015-ta.
Pastaj gjithçka i ka takuar fenomenit anglez Adam Piti në 100 bretkosë. 57”55 e thyer në bateritë kualifikuese më shumë se 24 orë përpara garës finale tashmë nuk ekziston më. Sepse britaniku ka fiksuar në finale kohën 57”13. Dhe e mbyll ditën e rekordeve amerikania, që është kthyer kështu në një festë për notin botëror, Katie Ledeki, e cila në 400 metra stil i lirë ka fiksuar kohën 3’56”46. Dhe në këto kushte e ka shuar rekordin e mëparshëm botëror që ishte që nga 2014-ta me kohën 3’58”37.
Rekordmenët kanë pasur distancë dhe me vendin e dytë e të tretë. Kështu Sjostrom ka qenë 1 minutë e dy sekonda përpara kanadezes Oleksiak, e cila me 56”46 ka marrë medaljen e argjendtë, por dhe 1 minutë e 15 sekonda përpara amerikanes Volmer, që është medalje e bronztë me kohën 56”63. Me më shumë se 1 sekondë e gjysëm gati dy sekonda ka qenë në distancë Peti në 100 metra bretkosë ndaj afrikanojugorit Van Der Burg, që me 58”69 meritoi medaljen e argjendtë.
Por edhe ndaj amerikanit Miler, i cili e mori të bronztën me kohën 58”87. Ndërkohë në një distancë prej pesë sekondash dhe Ledeski në 400 metra stil i lirë me të argjendtën britanike Karlin (4’01”23) dhe të bronztën amerikanen Smith (4’01”92). Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë fituesit e stafetës 4×100 metra stil i lirë, ndërsa kanë lënë nga pas Francën, që kështu ka marrë medaljen e parë në Lojërat Olimpike, si dhe Australinë, e cila ishte e bronztë në këtë stafetë.
Rezultatet teknike të 100 metrave flutur (Femra):
1) Sarah Sjostrom (Suedi) 55”48
2) Peni Oleksiak (Kanada) 56”46
3) Dana Volmer (SHBA) 56”63
Rezultatet teknike të 100 metra bretkosë (Meshkuj):
1) Adam Piti (Britani e Madhe) 57”13
2) Kamerun Van Der Burg (Afrikë e Jugut) 58”69
3) Kodi Miller (SHBA) 58”87
Rezultatet teknike të 400 metra stil i lirë (Femra):
1) Kejti Ledeki (SHBA) 3’56”46
2) Xhezminë Karlin (Britani e Madhe) 4’01”23
3) Liah Smith (SHBA) 4’01”92
Rezultatet teknike të 4×100 metra stil i lirë (Meshkuj):
1) SHBA 3’09”92
2) Franca 3’10”53
3) Australia 3’11”37