Gjergj Vyshka 09.08.2016 14:20
Tek emisioni sportiv “Fair-Play” në televizionin informativ “News 24”, presidenti i KOKSH-it do të deklaronte se ka marrë bursë, kurse në një tjetër emision do të tregonte atë që është parashikuar nga ndërkombëtarët, që nuk i takon një sportisti që ka dalë pozitiv. I gjithë ky shpjegim nëse do të ishte që pa shkuar në Rio do ta kishte zgjidhur situatën dhe nuk do të kishte krijuar këto pështjellime.
Sepse nuk e bëjnë presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar serioz në deklaratat e tij, pasi ai shfaqet i paqëndrueshëm dhe i papërgatitur për atë që diskutohet nëpër studiot televizive, e jo vetëm kaq nuk e bëjnë serioz edhe vetë institucionin olimpik. Jemi përpara një fakti që e gjithë vajtja e delegacionit olimpik shqiptar, që nga mungesa e Velit në ceremoninë e hapjes për një uniformë, që nga deklarata e Hoxhës për tërheqjen nga gara për shkak të një regjistrimi jo të mirë, apo dhe nga debatet e Caljes me Bezhanin, është një çorganizim i organizuar.
Shkurt është shkuar në Rio krejtësisht të papërgatitur për anën organizative të delegacionit sportiv, apo të krijimit të kushteve optimale për garimin e atyre grushti njerëzish në mënyrë të qetë. Dhe ngatërrimi me “këmbët e veta” me deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën, ndërsa e vërteta duhet të ishte thënë që në fillim, i bëjnë drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në një institucion të lëkundur, që duket se e ka të vështirë të qëndrojë dhe vetë në këmbë.
Dhe duket se po shkohet drejt një përmbysje, atje ku pakënaqësitë janë shumë më të mëdha, që do të mund të shpërthejnë pas ardhjes nga Rio. Sepse bursa apo e Caljes ka krijuar situata që nuk i shkojnë për shtat një delegacioni sportiv olimpik shqiptar…
Programi i garave të mbetura të sportistëve shqiptarë:
10 gusht ora 00:00 Peshëngritje, Briken Calja
10 gusht ora 18:00 Not, Nikol Merizaj
11 gusht ora 18:00 Not, Sidni Hoxha
13 gusht ora 01:45 Kërcim së gjati, Izmir Smajlaj
13 gusht ora 15:05 3000 metra me pengesa, Luiza Gega