Gjergj Vyshka 09.08.2016 11:35
Dy deklarata të ndryshme të presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, në lidhje me bursën olimpike të peshëngritësit Briken Calja e bëjnë të parin e olimpizmit shqiptar jo fort serioz. Sepse ka një mungesë koherence për gjithçka që ndodh e aq më tepër shkon në emision i papërgatitur dhe vihet më pas në vështirësi. Pasi në emisionin sportiv “Fair-Play” në televizionin informativ “News 24”, është vënë përpara në debat nga një nga presidentët e nderit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Gudar Beqiraj, dhe specialisti i sporteve Artan Shyti.
Madje ky i fundit e ka pyetur a ka marrë apo jo bursë Briken Calja. Dhe Bezhani ka dhënë këtë përgjigje: “Ka pasur bursë, atë e di Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Ta gjejë Federata se ku ka shkuar. S’mund të flas dot. Ka bërë kërkesë Federata dhe i kemi qëndruar në mënyrë korrekte për atë që ka kërkuar”. Por… vetëm disa ditë më vonë, një status i peshëngritësit Briken Calja, që është publikuar dhe në “Sport Ekspres”, atje ku i ka kërkuar presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar që të tërheqë deklaratat, pasi nuk ka përfituar asnjë lek.
Madje duke kërcënuar dhe me tërheqje nga gara, e ka detyruar Bezhanin të thotë atë që është: “Së pari, – ka deklaruar Bezhani në Televizionin “Top Channel”, – është e parashikuar në ligjin ndërkombëtar që një sportist qoftë dhe një herë i dalë pozitiv në analizat antidoping nuk e përfiton këtë bursë. Këtë e di presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e di presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, por e di dhe vetë sportisti.”
“Unë do të doja që sportistët të mos merreshin me këto gjëra, sepse duhet të përqendrohen tek gara. Dhe nuk janë lekët e taksapaguesve shqiptar, por të ardhura nga solidariteti olimpik”, – pati përfunduar kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare.