Gjergj Vyshka 07.08.2016 14:25
Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar ka pranuar incidentet e raportuara në medie me sportistët në Lojërat Olimpike në Brazil. Në një lidhje telefonike për televizionin informativ “Ora News”, Viron Bezhani sqaroi se rasti i parë i mungesës së uniformës për Evangjeli Velin lidhet me pamundësinë kohore për ta realizuar, pasi ajo është kualifikuar në limitet e afateve për të marrë pjesë.
“E vërteta është që ajo u paraqit pranë Komitetit Olimpik ditën e hënë në orën 10:00 të mëngjesit, pasi është lajmëruar qëtë vijë ditën e diel urgjentisht, sepse është kualifikuar edhe ajo, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare. – Nga dita e hënë ne u morëm me dokumentet dhe ditën e martë është nisur. Ka qenë e pamundur dhe në kohë që ne ta pajisnim me kostum.”
“Çdo gjë ka kohën e vet dhe do përgatitjen e saj”, – shtoi ai. Ndërkohë në lidhje me akuzën e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, se përgjegjësia për mungesën e Velit është e KOKSH, Bezhani do t’i përgjigjej: “Është kollaj të gjesh përgjegjësitë, është jashtë realitetit çdo gjë. Zoti Gjozaj nuk di si procedohet në këtë aspekt dhe ka të drejtë të flasë çdo gjë.”
“Por realiteti është krejt ndryshe, – ka vijuar kreu i KOKSH-it. – Ajo ditën e hënë është paraqitur, kemi bërë maksimumin, kemi prerë biletën në maksimumin vetëm që kjo vajzë të marrë pjesë. Ajo sot garon. Nëse ne s’do kishim bërë maksimumin për t’i gjetur biletë, për t’i krijuar mundësi që ajo të vinte urgjentisht në Brazil do ishte e pamundur pjesëmarrja e saj. Koha ishte e pamundur.”
“Kostumi ka kohën e vet, nuk ka rrobaqepës që do ta bënte për një kohë të tillë. Ishte jashtë limitit dhe mundësive tona për ta realizuar”, – ka këmbëngulur Bezhani, i cili, nga ana tjetër nuk mohoi as incidentin e ndodhur mes Presidentit të Federatës së Peshëngritjes dhe trajnerit të sportistit Briken Calja, lidhur me parakalimin në ceremoninë hapëse.
“Ishte një diçka e tillë dhe e rregulluam. Dhamë urdhër urgjentisht që të zbatohen ligjet, ligji është që i pari është sportisti, i dyti trajneri dhe pastaj vinë të tjerët. Ka ndodhur një fenomen i tillë por dhamë urdhër urgjentisht të zbatohet rregullorja”, – ka përfunduar Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani.