AlbanianSport.com 07.08.2016 12:35
ASNN – E diela dhe e hëna mund të rezultojnë ditë të rëndësishme për sportin e Kosovës, dhe për atë shqiptar në përgjithësi, pasi kampionia e botës, Majlinda Kelmendi, do të zbresë në tapetin e xhudos në Olimpiadën e Rios, kurse një ditë më pas do të konkurrojë edhe pretendentja tjetër e Kosovës për medalje, Nora Gjakova.
Sipas trajnerit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, shorti nuk pritet të jetë edhe aq bujar për Majlindën. Kjo sepse, që në turin e parë, Kelmendi do ta ketë kundërshtare, sipas të gjitha gjasave njërën prej rivaleve më të forta.
“Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm, si unë ashtu edhe Majlinda, se kemi ardhur në Lojëra Olimpike dhe këtu nuk ka garues të dobët”, ka thënë Kuka për mediat kosovare, duke theksuar në vijim se ndeshja e parë është shumë më rëndësi për Kelmendin.
Kjo sepse në rast të fitores, atëherë e pret një rrugëtim më i lehtë deri në gjysmëfinale, ku sipas të gjitha gjasave do të duhej të ndeshej me japonezen Misato Nakamura. Majlinda Kelmendi është shpresa më e madhe e Kosovës dhe e sportit shqiptar për një medalje olimpike në “Rio 2016”.