AlbanianSport.com 06.08.2016 08:50
ASNN – Me një spektakël që u largua nga përdorimi i teknologjisë drejt natyrës dhe gjelbërimit, Lojërat Olimpike “Rio 2016” ngritën siparin me një ceremoni hapjeje që theu traditën dhe zgjodhi të përçojë mesazhe ekologjike për mbrojtjen e planetit, duke reflektuar edhe shoqërinë, artin dhe kulturën shumëngjyrëshe të vendit organizator, Brazilit. Sikundër e gjithë kjo Olimpiadë, edhe ceremonia e saj e hapjes u soll drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një transmetim prej afro 4 orësh.
Ishte premtuar diçka ndryshe nga tradita dhe Brazili ia ka dalë të sjellë një ceremoni hapjeje që ka braktisur shumë klishe të këtyre 3-4 dhjetëvjeçarëve të fundit. Duke nisur që nga kostoja e saj, ceremonia e hapjes së “Rio 2016” ishte 12 herë më e ulët sesa ajo e “Londër 2012” dhe 20 herë më e ulët sesa ajo e “Pekin 2008”. Duke reflektuar kështu plotësisht të ashtuquajturën “giambiarra”, aftësinë e brazilianëve për të bërë diçka nga thuajse asgjë.
Ndërkohë që “Pekin 2008” ishte një manifestimim teknologjiko-njerëzor i fuqizimit të Kinës dhe “Londër 2012” një spektakël historiko-kulturor i Britanisë së Madhe, Lojërat Olimpike “Rio 2016” ngritën siparin me një ceremoni hapjeje që theu traditën dhe zgjodhi të përçojë mesazhe ekologjike për mbrojtjen e planetit, duke reflektuar edhe shoqërinë, artin dhe kulturën shumëngjyrëshe të vendit organizator, Brazilit.
Me një spektakël që u largua nga përdorimi i teknologjisë drejt natyrës dhe gjelbërimit, ky edicion i 31-të i Lojërave Olimpike premton të jetë një edicion i gjelbërt dhe i shëndetshëm, pavarsisht problemeve që vendi organizator ka patur pikërisht në këtë drejtim. Natyrisht, një nga pjesët më të rëndësishme të ceremonisë ishte parakalimi i vendeve pjesëmarrëse dhe delegacioni shqiptar doli i udhëhequr nga nënkampionia e Evropës, Luiza Gega.
Tejet emocionues ishte edhe parakalimi, për herë të parë, i Kosovës, për të cilën flamurin e mbajti kampionia e botës dhe e Evropës dhe pretendentja për medalje olimpike, xhudistja Majlinda Kelmendi. Edhe ndezja e flakës olimpike, që u krye nga tenisti Gustavo Kuerten dhe maratonisti Vanderlei, në mungesë, për shkak të shkaqeve shëndetësore, të legjendës së futbollit, Pelé, ishte një risi, ndërsa kështu Lojërat e 31-ta Olimpike Verore tanimë kanë nisur edhe zyrtarisht.