Gjergj Vyshka 05.08.2016 18:55
Në një status në faqen e tij në “Facebook”, peshëngritësi i Shtërmenit i peshës 69 kg, Briken Calja, ka konfirmuar dhe një herë se ka një krisje mes tij dhe presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Sepse ky i fundit ditë më parë ka deklaruar se peshëngritësi është trajtuar me bursë olimpike.
Një status që ka gjetur mbështetjen e të gjithë miqve të Briken Caljes, por që në të vërtetë tregon atë çka është gatuar me delegacionin sportiv olimpik të Shqipërisë në këto katër vjet. 6 sportistë, asnjë i shpërblyer, të gjithë me probleme dhe një Komitet Olimpik Kombëtar Shqiptar që kujtohet për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” vetëm në metrat e fundit.
Ndaj dhe deklarata e Caljes duhet marrë seriozisht, sepse jemi në prag të një veprimtarie madhore të sportit, atje ku skandalet nuk i shërbejnë askujt. E nëse ndodhin do të jenë një faqe tjetër e zezë për sportin tonë pas problemeve me dopingun që ka pasur peshëngritja shqiptare.
Shkurt Calja dje ka kërcënuar: Bezhani të tërheqi deklaratën ose dorëhiqem nga Olimpiada… Një fenomen që në të shtata pjesëmarrjet e Shqipërisë në Lojërat Olimpike nuk ka ndodhur asnjëherë. E nëse ndodh do të jetë shumë e rëndë…