Gjergj Vyshka 04.08.2016 08:50
Në të vërtetë shpresa e vetme për medalje në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” është nënkampionia e Evropës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gega. Mirëpo kjo atletete në të gjitha takimet e saj, nuk ka pranuar të premtojë medalje.
E duke e ditur që një garë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro” është e barazvlefshme me Kampionatin Botëror, që do të thotë se ka një shkallë më të madhe vështirësie se sa Kampionati Evropian, atëherë Gega ka kërkuar nga mediat: “Mos ma quani zhgënjim nëse nuk mbërrij tek medalja”.
Madje të njëjtën gjë ka theksuar dhe dje përpara nisjes për në Rio Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello. “Shikojini me kujdes deklaratat e saj, në asnjë prej takimeve nuk ka premtuar medalje”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare.
“Kështu që vajtja në finale do të jetë sukses për ne”, – ka shtuar Bello, ndërkohë që medalje olimpike mund të premtohet dhe pritet dhe nga peshëngritësit Calja e ndoshta dhe Veli. Sidoqoftë, tashmë të gjithë janë të përqendruar për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.